1.1 mld euro investime të huaja në 9 muaj, preferohen pasuritë e paluajtshme! Banka e Shqipërisë: 56 milionë euro më shumë krahasuar me 2023

12 Dhjetor 2024, 16:11 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

1.1 mld euro investime të huaja në 9 muaj, preferohen pasuritë e

Mbi 1.1 miliardë euro është vlera e investimeve të huaja direkte që ka përfituar vendi në 9-mujorin e këtij viti. Shifrat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet janë rritur me 56 milionë euro krahasuar me janar-shtatorin e vitit të kaluar.

Investitorët në këtë periudhë më të interesuar kanë qenë për pasuri të patundshme, duke bërë që ky sektor të rrëmbej 263 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

Vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti janë investuar në vend 411 milionë euro, thotë Banka e Shqipërisë, ku 234 milionë euro është fitim i riinvestuar.

Komponenti fitim i ri-investuar është zgjeruar me 15% në terma vjetorë dhe shënon 234 milionë euro, ndërkohë që injektimi në kapital u vlerësua 178 milionë euro, ose 17% më pak se një vit më parë”, thotë banka.
Gjatë këtij tremujori 20% e investimeve të huaja është hedhur në sektorin e pasurive të paluajtshme, ndjekur nga 19% në sektorin e ndërmjetësimit financiar, 14% në fushën e hidrokarbureve dhe 11% në  energjetikë.

Prej vitesh shtetasit e huaj po investojnë në prona të patundshme, kjo tregohet edhe nga vrojtimet që banka kryen mbi këtë treg, ku rezulton se vetëm gjatë këtij viti rreth 27% e banesave të shitura janë blerë nga shtetas të huaj, kryesisht në zonat rreth qendrës së Tiranës dhe në bregdet. Holanda, Italia dhe Turqia janë shtetet që kryesojnë listën për vlerën e investimeve të huaja në Shqipëri.

INVESTIMET E HUAJA DIREKTE
Janar-Shtator 2023           1,105 mln euro
Janar-Shtator 2024           1,161 mln euro
Rritja                                  +56 mln euro

/Shqiptarja.com

 

Po ndodh...