Për partitë tona mendimi ndryshe është “cilësi e borgjezisë”

Kryeministri Rama tha se mund ta përjashtojë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste Elisa Spiropalin për qëndrimet e saj kritike në Facebook në lidhje me qeverisjen. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk lejon të kandidojë për kryetar partie ish-deputetin Ervin Salianji, anëtaren e Këshillit Kombëtar Alesia Balliu dhe përkrahësen e tij kryesore gjatë fushatës së Foltores në vitin 2021 dhe 2022, Evi Kokolari.
Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë zëra që kritikojnë Partinë Socialiste brenda saj. Ai në një farë mënyre ia arriti qëllimit dhe askush nga grupi parlamentar socialist apo qindra anëtarët e Asamblesë Socialiste nuk ka thënë asgjë për mënyrën se si ai qeveris, se si Partia Socialiste mbrojti në inkoherencë të plotë me qëndrimet e mëparshme zëvendëskryeministren Balluku. Ish-kryeministri Berisha ka kohë që e cilëson Ervin Salianjin të vetëpërjashtuar dhe e akuzon atë për lidhje me krimin e organizuar apo për veprime në shërbim të qeverisë.
Është e qartë se ish-kryeministri Berisha kërkon të mos lejojë askënd brenda grupit parlamentar dhe brenda qindra anëtarëve të Këshillit Kombëtar që të kritikojnë atë apo të kenë një mendim ndryshe nga ai mbi PD, rrugën që duhet të ndjekë apo mënyrën se si duhet të sillet.
Edhe ai si Rama, ndoshta edhe më shumë, ia ka arritur qëllimit. Askush nuk thotë asgjë.
Cass Sunstein, një profesor i të drejtës në Universitetin e Çikagos, është përpjekur të kuptojë pse grupet e ndryshme shoqërore, vetë shoqëritë, mund të arrijnë dhe të bëhen fundamentaliste. Ai ka shkruar një libër “Pse shoqëritë kanë nevojë për mendim ndryshe” të ngjeshur me terma profesionalë dhe gjetje shkencore për këtë gjë.
Ai ka studiuar mijëra vendime të gjykatave të Apelit në SHBA.
Trupat gjyqësore të gjykatave të Apelit përbëhen nga tre gjyqtarë. Sunstein ka vënë re se në rastet kur trupa gjyqësore ka qenë e përbërë nga dy gjyqtarë liberalë dhe një konservator apo nga dy gjyqtarë konservatorë dhe një liberal, vendimet e shumicës janë shumë më të moderuara se sa kur trupa gjyqësore është e përbërë nga tre liberalë apo tre konservatorë.
Sunstein, duke analizuar të gjitha mendimet e shumicës dhe pakicës në trupat gjyqësore, thotë se dy gjyqtarët e shumicës ndikohen nga opinioni i gjyqtarit të pakicës dhe thuajse në çdo rast e moderojnë qëndrimin e tyre.
Në rastin kur trupa përbëhet nga tre gjyqtarë liberalë ose konservatorë, opinioni është shumë radikal. Ai ka vënë re se opinioni i tyre bëhet gjithnjë e më radikal në mungesë të një opinioni ndryshe. Terrorizmi dhe dhuna, thotë Sunstein, janë pasojë e mos-tolerancës së mendimit ndryshe.
Shtypja e këtij mendimi çon në zhvlerësimin e fakteve apo argumenteve të tjera dhe bjerr vendimmarrjen.
Duke marrë në shqyrtim dëshirën e individëve për t’iu përshtatur grupit, vendimmarrjen dhe prirjen e pjesëve të grupit për polarizim, Sunstein thotë se një shoqëri e lirë nuk lejon censurën dhe i lë hapësirë mendimit ndryshe.
Moslejimi i mendimit ndryshe e bën një grup të bëhet vazhdimisht e më radikal dhe të humbasë gjithnjë e më tepër kontaktin me faktet.
Tifozët e futbollit, për shembull, janë një provë e fortë. Ata kthehen në trupë monolite, rrinë me njëri-tjetrin dhe nuk pranojnë asnjë argument mbi ekipin kundërshtar.
E njëjta gjë ndodh edhe me terroristët apo radikalizmat e tjerë. Në këtë mënyrë talebanët bëhen gjithnjë e më talebanë, mbështetësit e ISIS-it bëhen gjithnjë e më fundamentalistë dhe anëtarët e një grupi apo një partie zbresin gradualisht në autoritarizëm dhe totalitarizëm.
Ata që kanë një mendim ndryshe janë ata që rezistojnë, ata janë vitalë për shoqërinë, thotë Sunstein, i cili përmbyll idenë e tij duke thënë se vetëm kështu do të shpëtojmë nga fundamentalizmi dhe çdo ide apo realitet tjetër totalitar.
Në Shqipëri kjo shtypje e mendimit ndryshe ka prodhuar një lëngatë të gjatë dhe të vazhdueshme. Dëshmi është kjo sjellje në PD dhe PS sot, dëshmi është mënyra se si në rresht të gjithë deputetët e PS dhe të PD në parlament jo vetëm i thonë gjërat në linjën e Ramës dhe të Berishës, por i përsërisin ato gati në një lloj duke ardhur në një trajektore gjithnjë e më të ashpër.
Dëshmi është parlamenti, apo edhe kandidatët për anëtarë të FRESH-it. Një nga promovuesit më të thekshëm të kësaj mënyre të vepruari është kryeministri. Ka dhe shumë të tjerë.
Kryeministri nuk pranon asnjëherë një kritikë, nga askush. Disa kohë më parë, kur vendi shihte përditë të shpërthenin bomba me telekomandë, ai shprehej “se rendi është vendosur dhe se këmba e krimit në polici është hequr. Vrasja me bomba është larja e hesapeve para se të bien në duart e policisë që iu është qepur këmba-këmbës”.
Në një rast tjetër u shpreh se “gjendja e lartë e kriminalitetit është vetëm në mendjet e gazetarëve”.
Në lidhje me kritikat që i bëheshin ose bëhen nga mediat, ai flet për kazan. Denoncimet për trafik me avionë i quante mushkonja.
Në Partinë Demokratike ndodh e njëjta gjë. Për PD-në, Salianji duhet të jetë patjetër një njeri që ndihmohet nga krimi, nenet e statutit nuk janë mirë nga kritikët, SPAK është SKAP-i etj. Kjo gjuhë dhe ky stil tenton të prodhojë një lloj individi politik i cili vetëm përforcon atë që dëgjon dhe grupi ku rri ose grupi të cilit ai i përket përforcon pandalur atë që thotë kryetari.
Për ta ekziston vetëm një mendim, vetëm ai që shprehet nga kryetari. Ky individ hyn në zinxhirin që përmend Sunstein, radikalizohet edhe më dhe përhapet te gjithë grupi, ndaj ne vëmë re thirrje të vazhdueshme pro kryetarit dhe sulm ndaj kujtdo që kritikon. Një ideolog i Partisë Komuniste në Bashkimin Sovjetik tha dikur se mendimi ndryshe është cilësi e borgjezisë. Kështu duket sikur e shohim edhe tek ne.
Këto janë sëmundjet më të mëdha të një shoqërie, sëmundje të cilat shkatërrojnë çdo liri, nëpërkëmbin çdo të drejtë dhe e kthejnë në karikaturë demokracinë liberale.
Këto sëmundje kanë prodhuar fashizmin, komunizmin dhe çdo formë tjetër totalitarizmi.
Politika jonë sot ka potencialin të prodhojë totalitarizma mjaft të shëmtuar, pavarësisht se konteksti e bën të duket i pamundur./Mapo.al
Po ndodh...
Sali Llapa
ide
Salianji po bie në Salizëm!
Për partitë tona mendimi ndryshe është “cilësi e borgjezisë”
Farsa që shitet si betejë!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128