Berisha: Ne spostuam rrugën e heroinës nga Shqipëria në Serbi, Rama bëri narkoshtet

7 Maj 2025, 22:48 / POLITIKË ALFA PRESS

Berisha: Ne spostuam rrugën e heroinës nga Shqipëria në

Sali Berisha pranoi në Debat nga Alba Alishani në A2 CN se lufta kundër asaj që e quan “Narkodiktatura e parë dhe e vetme në Europë”, ka qenë shumë e vështirë.

“Sot është viti i 12-të i Edi Ramës në pushtet. Narkoshtetin nuk e filloi as këtë vit, as një vit më parë. Themelet i hodhi në 2015-n kur mbuloi nga jugu në veri Shqipërinë me kanabis. Isha zëri i parë në Shqipëri dhe botë kur fola për narkoshtet”, tha ai.

Sipas Berishës, i cili sot kërkon të rrëzojë nga pushteti Ramën, kjo ndodhi me një projekt të kryeministrit. Për këtë ai riktheu statistika të periudhës kur ishte vetë Berisha që qeveriste vendin. “Shqipëria kishte treguesit më të mirë në luftën kundër drogës. Së pari, rruga kryesore e heroinës nga lindja, kalonte nëpër Shqipëri. Dokumentet e kohës provojnë se ajo u spostua, kalonte nga Maqedonia në Serbi. Së dyti kishte parcela kanabisi vetëm një fshat dhe ky quhej Lazarat. Së treti, në brigjet e Italisë, në vitin 2012, kanë kaluar gjithsej 12,5 kg kokainë nga Shqipëria. Saqë Italia hoqi kontrollin kufitar me Shqipërinë. Moratoriumi i skafeve pati efekte të shkëlqyera”, shtoi ai.

Për çështjen e drogës në Shqipëri, Berisha madje tha se është bërë debat në Këshillin e Ministrave të kohës. “Arben Ahmetaj e parashikoi që kjo është para për ekonominë shqiptare. Por sot kjo para ka shkatërruar dhjetëra mijëra vende pune të ndërmarrjeve të eksportit, të cilat vetëm me rënien e euros 35% kanë humbur çdo fitim”, tha Berisha.