"Do hani bar..."/ Premtoi se do të hiqej, sot 5 vite nga shpallja “Non Grata” e Sali Berishës

19 Maj 2026, 22:45 / POLITIKË ALFA PRESS
"Do hani bar..."/ Premtoi se do të hiqej, sot 5 vite nga shpallja

Sot bëhen pesë vite që Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Sali Berisha, ish-president, ish-kryeministër dhe një nga figurat që ka lënë gjurmë në Shqipërinë postkomuniste, ishte shpallur “Non Grata”.

DASH, në atë kohë, e motivoi vendimin për shpalljen “non grata” të Berishës dhe familjes së tij përmes një shpjegimi të detajuar, ku ai cilësohej si një politikan i përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë, keqpërdorim të fondeve publike, ndërhyrje në proceset publike, si dhe në favorizimin e aleatëve të tij politikë.

Pas shpalljes si person i padëshiruar, Sali Berisha e quajti vendimin të orkestruar nga kundërshtarët e tij politikë në Tiranë, në bashkëpunim me Soros. Ai hodhi gjithashtu akuza të forta ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit të asaj kohe, Antony Blinken, duke pretenduar se ishte i përfshirë në këtë aferë.

Shpallja “non grata” bëri qëSali Berisha të rikthehej fuqishëm në politikën aktive, pasi prej kohësh kishte qenë disi "i tërhequr". Kjo solli reagimin e fortë të SHBA-së, ku ambasadorja Yuri Kim u dha mesazhin demokratëve që të distancoheshin nga lideri i tyre duke përdorur metaforën e famshme se "do të hani bar", gjë që nënkuptonte se me Berishën nuk do të vinin dot kurrë në pushtet.

Kjo bëri që Lulzim Basha ta pezullonte fillimisht dhe më pas ta përjashtonte nga partia. Vendimi i Bashës u prit ashpër nga Berisha, i cili e akuzoi për tradhti dhe zhvilloi disa takime me demokratët. Ai krijoi Grupin e Rithemelimit dhe më pas zhvilloi Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku shkarkoi edhe Lulzim Bashën. Pas një beteje të gjatë, ai u rikthye në krye të PD-së në prill të vitit 2022.

Në nëntor të vitit 2023, Sali Berisha u arrestua me urdhër të SPAK dhe u la në masën “arrest shtëpie” për dosjen “Partizani”. Berisha e quajti arrestimin politik dhe hodhi akuza ndaj SPAK, duke thënë se vepronte i motivuar politikisht. Ai u lirua nga masa e arrestit në fund të dhjetorit 2024, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve.

Vetëm disa muaj më pas, Berisha kandidoi për kryeministër, por humbi me diferencë të thellë ndaj Edi Ramës.

Edhe pse premtoi disa herë se statusi “non grata” do të rishikohej, duket se SHBA mbetet e vendosur në vendimin e saj.

Po ndodh...