Pse u transferua në Peqin Lul Berisha dhe Durim Bami, zbardhet informacioni i SPAK-ut

19 Maj 2026, 22:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

Pse u transferua në Peqin Lul Berisha dhe Durim Bami, zbardhet informacioni

Një informacion konfidencial i prokurorisë së Posaçme SPAK, i përcjellë Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve, ka sjellë transferimin në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin, të Durim Bamit dhe Lulzim Berishës.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se relacioni informativ është kryer disa ditë, pasi në media rrodhi një video ku të dënuar dhe të paraburgosur bënin festë me telefona dhe muzikë në ambjentet e paraburgimit të Durrësit.

Mes këtyre të dënuarve ishte dhe Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit, ndaj të cilit SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për vrasjen e Klodian Saliut.

SPAK, informonte Burgjet se prania e Lulzim Berishës në paraburgimin e Durrësit, cënonte sigurinë dhe rendin, duke ngritur dyshime të forta për një përsëritje të mundshme të skenave të arratisjes, siç ndodhi me Altin Ndocin.

Për më tepër Lulzim Berisha, përmes telefonit sipas SPAK mbante lidhje në kohë reale me persona jashtë burgut.

Ndaj nisur nga këto të dhëna, SPAK, i ka rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që i paraburgosuri Lulzim Berisha, të transferohet në një burg të sigurisë së lartë që ishte në proporcion dhe me akuzat e rënda për të cilat ai është hetuar dhe po gjykohet aktualisht.

Mësohet se pas publikimit të videos në media, oficerë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, kanë marë në pyetje Lulzim Berishën dhe disa prej personave që ndodheshin në atë dhomë, duke referuar materialin hetimor në prokurorinë e Durrësit, për akuzën e “Futjes dhe mbajtjes së sendeve të ndaluara” në ambjentet e IEVP Durrës.

Thuajse e njëjta situatë është pasqyruar në relacionin informues dhe për të paraburgosurin, Durim Bami, i cili vetëm pak ditë pasi u transferua nga burgu nr.313 në Tiranë drejt burgut të Fushë-Krujës, është lëvizur sërisht duke u transferuar në burgun e Fierit.

SPAK, ka argumentuar se mbajtja e Durim Bamit në burgun e Fushë-Krujës, përbën rrezik potencial për një arratisje të mundshme. Duke qënë se ky burg është në rikonstruksion e sipër, mund të sillte kushtet e nevojshme për të vënë në zbatim planin e arratisjes së Durim Bamit nga qelia.

Nisur nga kjo situatë, është rekomanduar transferimi i Durim Bamit dhe Lulzim Berishës, në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. /Syri.net 

Po ndodh...