Neli Demi: Një votë për të thënë; Mjaft me frikën...

9 Maj 2025, 17:46 / POLITIKË ALFA PRESS

Neli Demi: Një votë për të thënë; Mjaft me

Kandidati i Demokratëve Euroatlantikë, në Tiranë Neli Demi përmes një statusi ka falenderuar qytetarët për mbështetjen dhe ju ka kërkuar një votë për numrin 4, ditën e djelë.

Kjo fushatë sipas Neli Demit nuk ka qënë një garë për pushtet, por një përpjekje për t’i dhënë polikës fytyrën e njeriut të zakonshëm.

Ai shkruan se kjo nuk është përfundim i një fushate, por fillimi i një shprese dhe pune bashkë me çdo qytetar

Postimi i plotë

Të dashur qytetarë,
E diela është dita juaj. Jo e politikanëve. Është dita kur zëri juaj bëhet votë, dhe vota bëhet fuqi.
Është dita për të vendosur: do të jetoni me zë të ulët apo me kokën lart?
Liria nuk është dhuratë. Është e drejta për të qenë vetvetja, pa maska, pa frikë.
Siguria nuk është barrikadë, por ndjenja se jeta jote nuk është monedhë pazari.
Drejtësia nuk është ritual, por pika ku i forti dhe i dobëti qëndrojnë në të njëjtën vijë.
Përkujdesja nuk është keqardhje, por dora që nuk të harron kur nuk je asnjë për titujt.
Kjo fushatë nuk ka qenë thjeshtë një garë për pushtet. Ka qenë një përpjekje për t’i dhënë politikës fytyrën e njeriut të zakonshëm, atij që ka duruar, ka parë padrejtësi dhe beson ende se vendi ynë mund të bëhet më i drejtë, më i jetueshëm.
Unë vij nga një profesion ku dëgjoj. Dhe në këtë rrugëtim, kam dëgjuar më shumë sesa kam folur. Kam mësuar se ky vend nuk ka nevojë për heronj. Ka nevojë për shpresë të përbashkët. Nuk ka nevojë për spektakël, por për kthesë të vërtetë.
Të dielën, mos votoni nga inati. Mos votoni nga zakoni.
Votoni me ndërgjegje. Votoni për veten tuaj.
Votoni si ata që e dinë se ndryshimi nuk troket vetë në derë, ai futet kur ti e hap atë derë.
Duke më dhënë besimin tuaj, ai besim nuk do të flejë në karrige.
Ai do të ecë, do të pyesë, do të trazojë, do të kërkojë përgjigje. Për ju. Me ju. Për të gjithë ne.
Faleminderit nga zemra për çdo fjalë, çdo dorë të shtrirë, çdo shpresë të besuar.
Ky nuk është fundi i një fushate. Ky është fillimi i asaj që mund të bëjmë bashkë.
Me mirënjohje,
Neli
#VotoNeliDemi
#voto4
#votomemendnëkokë
#KoalicioniEuroatlantik
#ShqipëriaMeritonMëShumë
#BesoTeShqipëria

Po ndodh...