"Të hapim partinë, kemi qenë të plogësht", Berisha me plane afatgjatë për PD: S’ka dorëzim

30 Mars 2026, 15:21 / POLITIKË ALFA PRESS

"Të hapim partinë, kemi qenë të plogësht",

Kryetari i Partisë Demokratike udhëzoi degët, koordinatorët dhe udhëheqësit politikë që të nisin riorganizimin e partisë, hapjen e saj dhe anëtarësimet e reja, pasi siç tha, “janë me qindra e mijëra qytetarë që duan të anëtarësohen”.

Ai kritikoi strukturat se deri më sot kishin qenë apatike dhe të plogështa, ndaj nuk duhej humbur koha dhe deklaroi mosdorëzim deri në realizimin e misionit, për rrëzimin e qeverisë. Ai pati edhe një përgjigje për të përjashtuarit e fundit nga PD, duke i cilësuar si bashkëpunëtorë të pushtetit për përfitimet e tyre personale dhe automatikisht si të “vetëpërjashtuar”.

“Jemi në proces zgjedhor dhe kam kënaqësinë të informoj shqiptarët se ky proces deri sot është zhvilluar në përputhje të standardeve dhe statutit të PD-së. Bazuar në garën me shumë kandidatë dhe votën e anëtarësisë për kryetarin. Dhe kjo është zhvillim i rëndësishëm, por në një seri takimesh kemi rënë dakord që ne jemi të detyruar për veprimtari shumëplanëshe. Jemi të detyruar, ka rëndësi të përqendrohemi në organizim, organizim, organizim. Të bëjmë edhe atë që rrethanat na e zhbëjnë. Ne do bëjmë çdo gjë që të hapim Partinë Demokratik, duhet me projekt konkret, çdo kryetar, koordinator e udhëheqës politik, duhet të ketë si etalon anëtarësimet e reja dhe hapjen e partisë. E vërteta është se kjo kërkon një ndryshim të madh në qëndrimin tonë dhe ta shndërrojmë këtë kriter në kryesorin e funksionalitetit dhe performancës tonë”, tha ai.

Dhe më tej la porosinë kryesore për strukturat, duke nënvizuar se kishin qenë apatikë e të plogësht:

“Ka ardhur koha të lëmë mënjanë thirrjet e të bëjmë vlerësimin. Ua them me përgjegjësi të plotë, se pas një seri takimesh e hetimesh, se janë me qindra e qindra qytetarë që duan dokumentin e PD, po s’ka kush ua ofron. E Pafalshme për ne, e pafalshme! Thelbi është ky: Çfarë do bëni për anëtarësimet e reja? Janë me qindra por dhe mijëra demokratë të paanëtarësuar e që duan të anëtarësohen, po hasin në plogështinë dhe apatinë tonë. Nuk është hera e parë që e shtrojmë këtë, e kemi bërë edhe në mbledhje të tjera, por tani bëhet imperativë. PD ka domosdoshmëri urgjente për ripërtëritjen dhe anëtarësime të reja”.

Berisha tha se kjo do ishte detyra kryesore, paralelisht me zgjedhjet dhe protestat për rrëzimin e qeverisë.

“Ndaj edhe ju si drejtues, t’ia përcjellim edhe kryetarëve të degëve së shpejti, të keni tregues kryesor këtë veprimtari. Mos mendoni se ka hezitim, jo. Ka qindra e mijëra të gatshëm të anëtarësohet, janë të shumtë. T’i vëmë vetes detyre konkrete, të anëtarësojë një tjetër”, vijoi kryedemokrati.

Dhe në fund një përgjigje për akuzat e të larguarve nga PD së fundmi në Durrës, Shkodër apo Elbasan. Ai apeloi për qëndresë të demokratëve dhe fitoren e ardhshme të opozitës.

“Zonja deri dje ishte e nderuar, del e bën fushatë për Tom Doshin. Tani del e thotë se më hoqën nga lista, jo zonjë, hoqe veten nga lista. Një tjetër që është në borderonë e Sakos (kryebashkiakja e Durrësit) dhe pastaj thotë se më hoqën për këtë e atë, nuk impresionohemi ne nga kjo. Ka të tjerë që shiten dhe blihen, bëjnë pazare, por demokratët qëndrojnë në këmbë, absolutisht, ndaj ne i qëndrojmë përpjekjeve tona për organizim solid, për vlera. Mos të mendojë askush se duke i shërbyer socialistëve do të jetë pjesë e jona. Ka njerëz që shiten dhe bëjnë pazare, por demokratët janë më të fortë. Nuk dorëzohemi. Ta çojmë deri në fund betejën tonë, deri në fitore, asgjë s’na ndal ne në përmbushjen e misionit tonë”, tha Berisha.

 

Po ndodh...

ide