U arrestua me urdhër të SPAK për blerje votash, reagon PSD: Gazmend Peposhi është kryetar i PS , jo anëtar i yni!

11 Maj 2025, 10:42 / POLITIKË ALFA PRESS

U arrestua me urdhër të SPAK për blerje votash, reagon PSD:

Partia Socialdemokrate ka reaguar në lidhje me raportimet se Gazmend Peposhi, personi i arrestuar mbrëmjen e djeshme në Kukës për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, nuk është anëtar i kësaj partie.

“Personi në fjalë, z. Gazmen Peposhi, nuk është dhe nuk ka qenë ndonjëherë anëtar i PSD-së. Aktualisht, ai është kryetar i Partisë Socialiste në njësinë ‘Ujmisht’. Këto etiketime i bëjnë vetëm që të njollosin imazhin e PSD-së në Kukës, duke u përpjekur me çdo kusht t’i ulin frymën e fitores për ‘Korrupsionin aktiv në zgjedhje’. Nuk është anëtar i kësaj partie,” thuhet në reagimin e PSD-së.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku u shpallën në kërkim dy shtetas për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, ju informojmë se;

Nga strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve zgjedhore në DVP Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSH dhe DVP Kukës, nën drejtimin e SPAK, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. P., 27 vjeç, banues në fshatin Lusen, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë arrestimit, këtij shtetasi ju gjet një shumë e konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se do ti përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Vijon puna për kapjen e shtetasit G. P.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.