Non grata-t e shpallura dhe të hequra me dollarë do të ishin një damkë për SHBA-të

10 Maj 2025, 21:12 / IDE NGA PREç ZOGAJ

Non grata-t  e shpallura dhe të hequra me dollarë do të ishin

Në Shqipëri po investohet rëndë një opinion shumë i rrezikshëm për imazhin e SHBA-ve në sytë e shqiptarëve: Shpalljet ‘non gratta’ në Uashington mund të bëhen me dollarë dhe mund të hiqen me dollarë!

Një opinion si ky e tregon shtetin amerikan një arenë xhambazësh, të cilët, duke përdorur madhështinë amerikane dhe tarafet në administratë, bëjnë para me abuzimet lloj-lloj të  bajraktarëve politikë të një vendi të vogël.

Nëse do të faktohej, do ta zhvlerësonte plotësisht instrumentin ligjor të shpalljeve ‘non gratta’ si një mjet që ka për qëllim të luftojë korrupsionin dhe minimin e demokracisë në vendet mike. Më tej, do t’u jepte një goditje të fortë vlerave amerikane.

Personalisht, nuk e kam besuar Sali Berishën kur u thoshte ndjekësve të tij se ishte viktimë e një komploti të sponsorizuar nga miliarderi Xhorxh Soros dhe veglat e tij në Departamentin e Shtetit. Jo se dija ndonjë gjë më shumë se të tjerët. Por ideja se një miliarder nga të shumtët në SHBA mund të marrë zvarrë për interesa meskine vendimarrjen e shtetit më të fuqishëm të botës nuk më qëndronte.

Njëlloj dhe sot, për të njëjtën arsye, projekti i kundërt për të zhbërë një ‘non gratta’ me 6 milion dollarë, nuk më qëndron.

Për lobimin e shpalljes para katër vitesh nuk e dimë sa dollarë janë venë në dispozicion nëse janë venë, si janë dhënë nëse janë dhënë, kush është paguar, çfarë gjurme kanë lenë në procedurën e sanksionimit të ish kryeministrit shqiptar. Berisha me rrethin e miqve të tij në SHBA nuk kanë sjellë ndonjë provë përgjatë këtyre viteve. E kanë mbajtur në nivelin e pikëpamjes.

Për lobimin e kundërt,  që synon heqjen, ka  transparencë të plotë. Që është shumë  më mirë se po të mbetej në kulisa. Kontrata me kompaninë lobuese “Continental Strategy” me vlerë 6 milion dollarë është regjistruar sipas rregullave.

Aktorët janë ekspozuar me emër e mbiemër. Carlos Trujillo, një aleat i hershëm i Trump, vajza  e  shefes së kabinetit të Tramp, Susie Wiles, Alberto Martinez,i cili ka qenë shef i stafit të senatorit Marco Rubio, para se të merrte postin e sekretarit të Shtetit.  Në pika kyçe të  gjithë. 

Sipas  klisheve shqiptare për tarafet, vajza do t’i thotë mamasë, mamaja Trampit. Po çau mamaja, Tramp  do t’i thotë Rubios, i cili do të jetë i mbuluar ndërkohë! 

Gjithkush që ka mundësi është në të drejtën e tij të hedhë paratë për të hequr një dënim, një damkë. E drejtë apo e padrejtë qoftë.   

Në rastin e Berishës, aktualisht kryetar i PD-së, heqja do t’i zbardhte faqen dhe do të kishte vlerë politike e publike nëse do të përmbushte dy kushte:

Së pari, Sekretari Rubio denoncon intrigat eventuale që kanë prodhuar sanksionimin e kryeministrit të Shqipërisë. Pra, e rrëzon vendimin e paraardhësit të tij Blinken si padrejtësi. Kjo do të ishte ideale. SHBA-të janë vendi që kanë bërë diferencën në virtytin e forcës për të njohur e korrigjuar gabimet e tyre.

Natyrisht, për personin Berisha dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve ka vlerë  t’i hiqet edhe si falje apo në formën e faktit të kryer, pa i prekur motivet e heqjes.

Së dyti, duke u siguruar që këto akte të bëhen falas. Në nderin e SHBA-ve dhe vetë personit që ka kërkuar. I cili presupozohet se është një aleat i Partisë Republikane në pushtet.

Në të kundërtën, nëse kjo histori mbahet pezull e avancohet drejt finalizimit me këste, me marrjen e gjithë ryshfetit apo më shumë, imazhi dhe kulti i SHBA-ve në Shqipëri do pësonin bjerrje të forta, diçka dëshpëruese për shumicën dërmuese  të shqiptarëve. Do të legjitimohej fuqia demoniake e parasë për t’i thënë të zezës të bardhë dhe të bardhës të zezë. Më tej dhe më keq, “sundimi i ligjit  dhe “askush mbi ligjin” si arritje ende të brishta, do të rrezikonin sakrifikimin në xhunglën e pandëshkueshmërisë dhe pashpirtësisë.

Ndaj, thirrja për partnerët amerikanë është: Hiqjani sa më parë ‘non gratën’ Sali Berishës. Pa dollarë. Me dollarë i kushton shumë - shumë shtrenjtë Shqipërisë.

Po ndodh...