“Dua të kem një fëmijë”/ Elvana Gjata rrëfim emocional për jetën private: Sakrifica më e madhe që paguaj

Këngëtarja e njohur, Elvana Gjata ka folur hapur për rrugëtimin e saj në muzikë dhe jetën personale.
Në një intervistë për Dalina Buzin, këngëtarja u ndal fillimisht te koncertet, duke kujtuar performancën në Tiranë dhe objektivin për koncertin e ardhshëm në Milano.
“Unë jam shumë koshiente për punën që kam bërë këto 20 vjet dhe kur jam ngjitur në skenë dhe kam parë 25 mijë veta kam thënë ‘Uaa, vërtet’. Në fakt, ky është qëllimi im edhe për koncertin që do të bëj këtë herë në Milano. Dua që njerëzit të vijnë të këndojnë, të kërcejnë dhe të përjetojnë eksperiencën. Dua që kur njerëzit të dalin nga koncerti të ndihen më të motivuar për jetën”, u shpreh ajo ne “Dalina Show”.
Sa i përket një rikthimi në Festivali i Këngës, ajo nuk dha një “po” apo “jo” të prerë. Gjata pranoi se pritshmëritë e larta dhe reagimet pas pjesëmarrjeve me ‘Tana’ dhe ‘Karnavalet’ kanë qenë një mësim i fortë për të. Ajo theksoi se kritikat, edhe kur bëhen personale, i lexon dhe përpiqet të nxjerrë prej tyre diçka objektive për t’u përmirësuar.
“Unë mendoj që ka të bëjë edhe me pritshmërinë. Ndoshta pritshmëria ka qenë më e lartë pas këngës me të cilën unë mora pjesë në vitin e parë në festival, ‘Të tana’. E kuptova që në pjesëmarrjen e dyte, kënga e atij viti, ‘Karnavalet’, nuk arriti të depërtojë tek të gjithë, por unë e kuptoj, jam shumë okej, sepse nuk mund t’i pëlqesh të gjithëve.
Ajo pjesë që mua më lëndoi ishte që kaloi nga një kritikë profesionale në një helm personal. Por prapë, duke qenë figurë publike, e pranoj edhe këtë. Unë këto komentet e këqija i lexoj, sepse nuk kam frikë t’i lexoj dhe ndonjëherë mundohem t’i zhvesh nga emocionet negative dhe të shoh atë pjesën objektive, sepse ndonjëherë ka disa të vërteta, ose unë preferoj të shoh pjesën e mirë të gjithë kësaj gjëje që të përmirësohem për herë të tjera.
Nga të dyja festivalet unë kam marrë dy valixhe shumë të mira me mësime, të cilat do t’i përdor për herën e tretë, që nuk e di kur do të jetë. Nuk e di se si do të vijë jeta. Nuk mund të them as që nuk dua të marr pjesë, as që do të marr pjesë. Nuk e di sinqerisht, do t’i lë gjërat të vijnë natyrshëm”, tha Elvana Gjata.
Në planin personal, artistja foli për sakrificat që i ka sjellë fama, duke e cilësuar mungesën pranë familjes si një nga dhimbjet më të mëdha. Ajo pranoi se angazhimi intensiv në karrierë i ka marrë kohë nga njerëzit më të afërt, një kosto që e ndjen fort.
“Një nga faturat më të shtrenjta që unë paguaj dhe një nga sakrificat më të mëdha që unë bëj në punën që bëj është të mos jem prezente aq sa do të doja në jetët e njerëzve të mi më të shtrenjtë dhe këtë gjë e vuaj shumë. Do të doja të kaloja më shumë kohë me familjen time, me miqtë e mi të zemrës, por puna që bëj unë, pa diskutim që e dua shumë dhe jetoj me të, kërkon shumë energji dhe kohë, dhe të merr kohën nga njerëzit e tu më të shtrenjtë. Kjo gjë më mundon shumë”, u shpreh ajo.
Përballja me momentet e vështira, sipas saj, ka qenë gjithmonë një proces individual. Këngëtarja tha se nuk ka kërkuar ndihmë profesionale, por ka zgjedhur të mbështetet te forca e brendshme për të kaluar periudhat më të errëta.
“Të gjitha momentet më të vështira të jetës time kam zgjedhur që t’i kaloj me veten dhe unë nuk kam zgjedhur asnjëherë të kërkoj ndihmë profesionale. Absolutisht që nëse dikush zgjedh të kërkojë, është mënyra e tyre dhe jam shumë në rregull me këtë gjë, por mënyra ime ka qenë që momentet më të errëta, më të rënda, më të vështira t’i kaloj me veten, pa alkool, pa ilaçe, pa asgjë që s’ka të bëjë me forcën që kam gjetur brenda vetes time.”
Muzika, sipas saj, mbetet kanali më i sinqertë për të shprehur emocionet. Ajo e sheh dhimbjen dhe përjetimet e forta si “karburant” për krijimtarinë, duke shtuar se shpesh preferon të komunikojë përmes këngëve dhe jo intervistave.
“Prandaj nuk më kanë pëlqyer kurrë intervistat, sepse gjithmonë mesazhet më të forta kam zgjedhur t’i jap përmes muzikës. Është një instinkt i kthyer në strategji, sepse kur ti e njeh mirë veten tënde, e di kur të reagosh dhe unë jam mësuar që gjithë këtë dhimbje dhe emocionet e forta t’i përdor si një karburant për artin tim”, tha ajo.
Në fund, Elvana Gjata ndau edhe një dëshirë personale, të bëhet nënë. Ajo u shpreh se dashuria për fëmijët ka qenë gjithmonë e pranishme, por kohët e fundit ky mendim është bërë edhe më i fortë, duke e cilësuar ardhjen e një fëmije si një nga ëndrrat e saj më të mëdha.
“Unë gjithmonë kam dashur të kem fëmijë, sepse i dua jashtëzakonisht shumë fëmijët. Është e vërtetë që ky mendim ka qenë më i shpeshtë në mendjen time kohët e fundit. Sigurisht që do të kisha dashur ta kisha një fëmijë edhe më herët dhe është një ëndërr që edhe unë të kem bekimin të kem një fëmijë në jetë. Do të doja të kisha një fëmijë siç jam unë për prindërit e mi, do të doja të kisha një ‘Elvanë’ të vogël ose një djalë që të kujdesej për mua njësoj”, përfundoi artistja.
Po ndodh...
Sali Llapa
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128