Karriget e Europës, fytyrat të korrupsionit!

7 Maj 2026, 07:50 / IDE NGA ALBERT ZADRIMA
Karriget e Europës, fytyrat të korrupsionit!

Kjo nuk është foto integrimi. Është fotografia më e bukur e vetë-mashtrimit shqiptar.

Një qeveri e zhytur në korrupsion sistemik, del para Europës me buzëqeshjen e nxënësit shembullor, ndërkohë që raporti europian i lexon në sy atë që shqiptarët e jetojnë çdo ditë: Korrupsion galopant, administratë partiake, zgjedhje me hije, presion politik, propagandë dhe kapje institucionesh.

Pra, Europa nuk po na duartroket. Europa po na paralajmëron.

Dhe ironia tragjike është kjo: Sa më shumë fotografohet pushteti me flamuj europianë, aq më larg standardeve europiane duket Shqipëria.

Sepse BE nuk është sfond fotografish. Nuk është dekor samitesh. Nuk është “like” diplomatik.

BE është standard. Dhe standardi fillon aty ku pushteti ndëshkon korrupsionin e vet, jo aty ku mbron hajdutët e vet.

Nuk mund të kërkosh fonde europiane me njërën dorë, ndërsa me tjetrën të mbash peng tenderat, administratën, median dhe institucionet. Nuk mund të flasësh për integrim, kur çdo raport ndërkombëtar të rikthen tek e njëjta fjali: “Korrupsioni në nivele të larta mbetet shqetësim serioz”.

Dhe po aq faj ka edhe opozita.

Sepse një opozitë që ende nuk arrin të bindë Perëndimin se është alternativë serioze, institucionale dhe moderne, i jep pushtetit oksigjen për të vazhduar teatrot e veta europiane.

BE dhe SHBA nuk kërkojnë opozitë që vetëm ulërin. Kërkojnë opozitë që bind. Që frymëzon besim. Që mbron interesin publik më fort se interesin e partisë.

Ndaj kjo foto nuk është triumf.

Është një karikaturë politike e një shteti që sillet si kandidat europian, por vazhdon të funksionojë me logjikën e republikave të kapura.

Europa mund të na hapë derën. Por nuk mund të hyjë brenda nesh e të na bëjë shtet. Atë ose do ta bëjmë vetë, ose do vazhdojmë të bëjmë foto.

 

Po ndodh...

Nga Bato Kosova 16:37 EDITORIAL

Sali Llapa

Nga Bato Kosova