Kur një tragjedi është e paralajmëruar, nuk kemi të bëjmë thjesht me fatkeqësi por dhe me dështim

6 Maj 2026, 11:27 / IDE NGA MIRELA KARABINA

Kur një tragjedi është e paralajmëruar, nuk kemi të

Dështim institucional dhe shoqëror!

Ngjarja në Durrës (Kënetë) nuk kërkon vetëm reagim emocional, kërkon reagim institucional, marrje përgjegjësie dhe zgjidhje konkrete. Sepse kur ka pasur denoncime por ato nuk janë trajtuar si duhet, atëherë kemi dështim të drejtpërdrejtë të mekanizmave që duhet të mbrojnë jetën.

Ka pasur paralajmërime thonë banorët por mungoi reagimi në kohë. Në këtë pikë, roli i Policia e Shtetit është thelbësor dhe kur ky rol nuk funksionon, pasojat janë të rënda dhe të pariparueshme.
Por përgjegjësia nuk mbaron vetëm te institucionet.

Ka edhe një heshtje tjetër, ajo e komunitetit. Indiferenca ndaj shenjave paralajmëruese, ndaj sjelljeve problematike, ndaj rreziqeve që duken “punë e të tjerëve”, krijon terrenin ku tragjedi të tilla bëhen të mundshme.
Një shoqëri që nuk reagon, pa dashje bëhet pjesë e problemit.

Dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me mënyrën si po ndërtojmë qytetet tona.

Qyteti duhet të ndërtohet për t’i shërbyer njerëzve të tij. Por sot, në Tiranë, Durrës e kudo po ndodh e kundërta.
Pa një plan të qartë dhe afatgjatë zhvillimi, betonizimi është kthyer në një proces të pamëshirshëm. Pallate pa oborre, pa hapësira të gjelbra, pa kënde lojërash për fëmijë, lagje që rriten në numër por jo në standard jetese e të tjera.
Fëmijët janë ata që po e paguajnë më shtrenjtë këtë realitet, u kemi marrë hapësirën, lojën dhe fëmijërinë!
Sot kemi shkolla pa oborre, shkolla me turne dhe të shkëputura nga komuniteti.Shkolla të rindërtuara apo ndërtuara me mendësi abuzive duke shkelur standartin si hapsirë ku mësohet, jetohet e socilizohet, pasi vetëm klasa është ambjenti ku ata mësojnë.

Në shumë raste, fëmijët udhëtojnë nga periferia drejt shkollave larg shtëpisë, ndërkohë që ligji për ndarjen sipas zonave shpesh nuk zbatohet.

Ka abuzime, ka pabarazi ka keqadministrim dhe një sistem që mbingarkon disa shkolla, ndërsa të tjerat mbeten bosh.
Gjimnaze që funksionojnë me mbi 2000 nxënës, në godina pa ajrim dhe pa hapësira të mjaftueshme. Këto nuk janë kushte për arsimim dhe edukim, këto janë kushte që dëmtojnë shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Ndërkohë, oborret janë zhdukur, fushat sportive janë zëvendësuar me beton dhe bashkë me to, është zbehur edhe ndjenja e komunitetit dhe e përgjegjësisë së përbashkët.

Kjo nuk është thjesht çështje urbanistike, është çështje sigurie, është çështje funksionimi të shtetit.
Nëse reagojmë vetëm emocionalisht sot dhe nesër vazhdojmë njësoj, atëherë po pranojmë që këto tragjedi të përsëriten.
Kjo ngjarje dhe të tjera duhen të jetë moment reflektimi me vepra dhe jo një lajm që harrohet. Ndaj duhet një reagim real dhe llogaridhënie nga institucionet ligjzbatuese; trajtim serioz i çdo denoncimi dhe sinjali rreziku; rikthim i rolit të komunitetit si mbrojtës aktiv, jo spektator; zbatim i ligjit për ndarjen e shkollave sipas zonave; kushte dinjitoze dhe të sigurta në çdo shkollë; hapësira të sigurta për fëmijët në çdo lagje dhe një planifikim urban që vendos jetën mbi betonin.
Sepse siguria nuk është rastësi, është përgjegjësi.

Dhe kur kjo përgjegjësi neglizhohet, pasojat i paguajmë të gjithë.

Po ndodh...

Nga Bato Kosova 16:37 EDITORIAL

Sali Llapa

Nga Bato Kosova