Një ngjarje e paralajmëruar/ Nikolin Jaka dhe Alma Tafani; karteli ushqimor që helmoi 56 kursantët e Sigurisë, shteti i ushqeu me 22 mln €
56 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk u dërguan me urgjencë në Repartin Infektiv të QSUT-së, të helmuar nga dreka e servirur në ambientet e institucionit ku përgatiten forcat e ardhshme të rendit. Të vjella, dhimbje të forta barku, serum pas serumi. Fëmijë që kanë zgjedhur të mbajnë uniformën e shtetit u shtrinë nëpër shtretër spitali sepse shteti shqiptar nuk është në gjendje t'u garantojë as të drejtën elementare të ushqimit të sigurt.
Brenda 24 orëve, policia e Tiranës arrestoi në flagrancë Kujtim Ballgjinin, 52 vjeç, kuzhinierin që gatuante ushqimin e helmuar, dhe Kristjana Plakën, 23 vjeçe, teknologe ushqimi. Një tjetër teknologe, 35 vjeçe, u procedua në gjendje të lirë. Por këta tre janë thjesht këmbësorët e një makinerie kriminale që ka më shumë se dy dekada që mban peng shëndetin e shqiptarëve dhe xhepin e taksapaguesve.
Mbi ta qëndrojnë dy emra që duhet të ishin në pranga prej vitesh: Alma Tafani, administratore dhe ortake e vetme e kompanisë SORI-AL, e shpallur në kërkim dhe e zhdukur pa gjurmë, dhe Nikolin Jaka, themeluesi i kësaj perandorie të kalbur, ish-zëvendësministër i arrestuar për korrupsion, që sot mban postin e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Pamfleti e ka paralajmëruar këtë batërdi prej vitesh. Shkrim pas shkrimi, denoncim pas denoncimi, kemi treguar se kush është ky cift kriminal, si kanë vjedhur, si kanë mashtruar, si kanë blerë heshtjen e institucioneve. Askush nuk reagoi. Asnjë prokuror nuk hapi dosje. Asnjë institucion nuk tërhoqi kontratat. Të gjithë reagojnë tani, pasi 56 kursantë u shtrinë në spital. Të gjithë shprehin shqetësim. Të gjithë premtojnë hetime. Hipokrizi e plotë dhe e neveritshme.
Tani le të shohim se kush janë në të vërtetë këta dy personazhe që shteti shqiptar i ka mbajtur me ushqyer për 25 vjet rresht.
Nikolin Jaka e nisi karrierën e tij të gjatë në korrupsion jo si tregtar, por si Zëvendësministër i Transporteve dhe Punëve Publike. Në vitin 2007 u arrestua për korrupsion dhe shpërdorim detyre, akuzuar se përmes sekserëve paracaktonte tenderat e gjashtë muajve të ardhshëm. Qëndroi 227 ditë në paraburgim. Momenti që doli nga qelia, bëri atë që bën çdo kriminel i vogël: u fsheh pas gruas. Kuotat e kompanisë SORI-AL, që ai e kishte themeluar në vitin 2002, i kaloi 100 për qind në emër të Alma Tafanit. Bashkëshortes. Ish-bashkëshortes. Bashkëjetueses. Thirreni si të doni, nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që ligji shqiptar ndalon personat e dënuar penalisht të marrin pjesë në tendera shtetërorë, por nuk ndalon gratë e tyre. Një hile aq primitive sa dhe fyerja që këta dy i bëjnë çdo ditë shtetit shqiptar.
Shteti jo vetëm që nuk i ndëshkoi, por u hapi dyert dhe arkat.
Deri më sot, SORI-AL dhe kompanitë e lidhura me Tafanin kanë marrë nga Thesari i Shtetit Shqiptar mbi 2.2 miliardë lekë, rreth 22.7 milionë euro, në më shumë se 1200 transaksione. Janë para që kanë dalë nga xhepat e shqiptarëve dhe kanë përfunduar në xhepat e një dysheje kriminale që vepron e pandëshkuar prej njëzet e pesë vjetësh.
Në vitin 2022, SORI-AL fitoi tenderin për furnizimin ushqimor të Akademisë së Policisë me vlerë 2.5 miliardë lekë, 99.99 për qind e fondit limit. Praktikisht pa garë fare. Kush e firmosi? Endri Mullai, drejtues i Agjencisë Shtetërore të Prokurimeve të Përqendruara, nën mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm të kohës, Bledar Çuçi.
Në tetor 2023, QSUT i dha SORI-AL një kontratë prej 850 milionë lekësh pa TVSH përmes negociimit të drejtpërdrejtë. Pa garë fare. Kush e firmosi? Albana Fico, ish-kunata e kryeministrit Edi Rama, në atë kohë drejtoreshë e QSUT-së.
Spitali Psikiatrik i Vlorës i akordoi SORI-AL 302 milionë lekë, 95 për qind e fondit limit, me vetëm dy konkurrentë në garë. Bashkia e Tiranës i dha kësaj dysheje 1.2 miliardë lekë në tendera ushqimi, qumështi dhe bulmeti. Dhe kjo nuk është as gjysma e listës.
Por kush është në të vërtetë Alma Tafani?
Alma Tafani nuk është thjesht pronarja e SORI-AL. Alma Tafani është një ''oktapod'' që ka shtrirë krahët në çdo institucion që merr para nga buxheti i shtetit. Zotëron gjithashtu 100 për qind të AGS, një kompani pastrimi dhe lavanterie që ka marrë tender pas tenderi nga QSUT. Katër tendera radhazi, të gjitha pa garë, me vlera 22.3 milionë, 66.5 milionë, 30.8 milionë dhe 108.4 milionë lekë. Zotëron AgroAl International për tregtimin e ushqimeve. Ka në pronësi 50 për qind të AGRO INTEXO dhe ZEPA GROUP për qumësht dhe blegtori.
Dhe më pas vjen KPL, kompania që formalisht mbahet nga njëfarë Ramazan Troka që nga viti 2008, por që hetimet gazetareske e kanë ekspozuar si kompani të kamufluar të Tafanit. Një rrjet i tërë, një perandori e ndërtuar mbi paratë publike, me pronarët e vërtetë të fshehur pas një labirinti kompanish dhe emrash të tretë.
Nikolin Jaka, nga qelia e korrupsionit te karrigia e dhomës së tregtisë
Nikolin Jaka, arkitekti i kësaj perandorie, qëndron në hije. I pastër në letra, pis në realitet. Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, një post që e mban si mburojë prestigji ndërsa bashkëshortja e tij administron miliarda lekë nga shteti. I arrestuar në 2007 për korrupsion, i liruar në 2008, fitues i një padie për dëmshpërblim nga shteti në 2012, Jaka nuk ka humbur asnjë ditë nga puna e tij e vërtetë: shndërrimin e parave publike në pasuri private. Shteti e arrestoi, shteti e liroi, shteti e dëmshpërbleu dhe shteti vazhdon t'i japë miliona euro përmes gruas së tij.
Kur trupat e kursantëve ishin ende në spital, AKU doli me njoftimin se u bllokuan 85.9 kilogramë ushqim në Akademinë e Sigurisë. Bllokuan 67.3 kilogramë produkte dhe 1350 kokrra vezë në Garnizonin "Skënderbej". Morën mostra për analiza. Dhanë dy gjoba nga 100 mijë lekë secila. 200 mijë lekë të vjetra gjithsej për një kompani që ka përfituar 2.2 miliardë lekë nga shteti. Dhe e dini për çfarë i gjobitën? Për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë.
Ndërkohë, në dhjetor 2025, punonjëset e lavanterisë dhe kuzhinës së QSUT-së, punonjëse të kompanive të Tafanit, dolën në protestë. Nuk u ishin paguar rrogat. Në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, gratë që pastrojnë spitalin më të madh të vendit dhe që ushqejnë të sëmurët ishin lënë pa asnjë lek. Kompania që merrte miliarda nga shteti nuk paguante punonjësit e vet. Dhe shteti nuk bëri asgjë. Asnjë kontroll. Asnjë masë ndaj kontratave. Asnjë përgjegjësi e marrë. Punonjësit të zbrapsur, Tafani me xhepat plot, Jaka i paprekur në zyrën e tij të Dhomës së Tregtisë.
Prokuroria e Tiranës thotë se hetimet vijojnë. Por çfarë hetimesh duhen? Provat janë publike. Tenderat janë të dokumentuar. Lidhjet janë të ekspozuara. Helmimi i 56 kursantëve nuk është një krim i ri por fundi logjik i një krimi të vazhdueshëm që ka nisur prej vitesh dhe nuk ka ndalur asnjë ditë.
Alma Tafani dhe Nikolin Jaka janë fytyrat e këtij krimi. Por duart që i kanë ushqyer janë duart e shtetit shqiptar. Të njëjtat duar që sot bëjnë sikur kërkojnë drejtësi. / Marrë nga Pamfleti
Po ndodh...
Sali Llapa
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128