Autoritetet gjermane arrestojnë tre të dyshuar si sabotatorë rusë

14 Maj 2025, 12:34 / BOTA ALFA PRESS

Autoritetet gjermane arrestojnë tre të dyshuar si sabotatorë

Pas bastisjeve në dy qytete gjermane dhe në Zvicër, Prokuroria Federale e Gjermanisë ka arrestuar tre shtetas ukrainas. Ata dyshohet se kanë planifikuar sulme në emër të Moskës.

Sipas revistës gjermane “Der Spiegel” hetuesit gjermanë me gjasë kanë penguar disa aksione sabotazhi të organizuara nga Rusia. Prokuroria Federale e Gjermanisë arrestoi në fundjavë dy persona. Të martën në mbrëmje u ndalua një i dyshuar i tretë. Arrestimet ndodhën në qytetet gjermane të Konstanzës dhe Kölnit dhe në Zvicër.

Sipas “Der Spiegel” autoritetet gjermane i akuzojnë ukrainasit Vladislav T., Danil B. dhe Jevhen B. për “veprimtari agjenturore me qëllim sabotazhi”. Ata dyshohet se janë shprehur të gatshëm të kryejnë zjarrvënie të qëllimshme dhe shpërthime me eksploziv. Sipas qarqeve të sigurisë, këto aksione ishin planifikuar me shumë gjasë për llogari të autoriteteve ruse.

Sipas hetuesve, të dyshuarit kishin nisur tashmë testet për një aksion të planifikuar: ata kishin dërguar pako të adresuara në Ukrainë me pajisje gjurmimi GPS. Thuhet se Jevhen B. kishte siguruar pajisjet në Zvicër dhe ia kishte dërguar Danil B.-së në Konstancë, i cili pastaj i kishte dërguar në Köln. Prej andej, Vladislav T. i kishte dërguar në Ukrainë. Qëllimi ishte të zbuloheshin rrugët e transportit të pakove, raporton “Der Spiegel”.

Ky rast konfirmon frikën e shërbimeve sekrete perëndimore nga aksionet ruse. “Kemi zbuluar kohët e fundit një fushatë sabotuese të jashtëzakonshme dhe të pamëshirshme nga ana e Rusisë”, kishte deklaruar në dhjetor në Paris shefi i shërbimit të fshehtë britanik MI6. Rusia dëshiron të shkaktojë “kaos në Europë”, kishte shtuar një tjetër drejtues i një shërbimi sekret europian.

Në korrik të vitit të kaluar, në një kontejner transporti në pistën e aeroportit të Leipzigut në Gjemaninë lindore shpërtheu një zjarr. Zjarri u shkaktua me shumë gjasë nga një pako e adresuar për në Londër, e cila përmbante një lëndë djegëse të fshehur. Sipas autoriteteve të sigurisë, kontejneri ishte parashikuar të ngarkohej në një avion mallrash të firmës logjistike DHL, në momentin kur shpërtheu zjarri. Vetëm për shkak të vonesës së avionit, kontejneri ndodhej ende në tokë. Tri ditë pas rastit në Leipzigut, edhe në Angli ndodhi një ngjarje e ngjashme. Një pako e adresuar në një adresë në Birmingham mori zjarr në magazinën e firmës logjistike DHL. Të dy pakot qenë dorëzuar në Lituani dhe dërguar në drejtim të Britanisë së Madhe.

Këtë javë kryeministri polak Donald Tusk e bëri përgjegjëse Rusinë për një zjarr të madh në një qendër tregtare në Varshavë, i cili shpërtheu para një viti. Në platformën X, Tusk deklaroi se tashmë dihet me siguri që zjarri është shkaktuar nga një akt zjarrvënieje me porosi të shërbimeve sekrete ruse. Disa nga autorët e dyshuar janë arrestuar tashmë. Në një deklaratë të përbashkët të ministrive të Brendshme dhe të Drejtësisë të Polonisë thuhet se janë mbledhur të dhëna të gjera mbi rrjedhën e zjarrvënies. Të dyshuarit madje kishin dokumentuar pjesë të veprimeve të tyre. Nga zjarri i madh u shkatërruan rreth 1400 dyqane dhe shërbime, por nuk pati të lënduar

Po ndodh...