Indonezia dhe Kina forcojnë bashkëpunimin detar mes tensioneve në Detin e Kinës Jugore

21 Prill 2025, 17:45 / BOTA ALFA PRESS

Indonezia dhe Kina forcojnë bashkëpunimin detar mes tensioneve në

Indonezia dhe Kina janë zotuar të rrisin bashkëpunimin e tyre në fushën detare, me fokus të veçantë në sigurinë dhe ruajtjen e stabilitetit në Detin e Kinës Jugore, mes shqetësimeve në rritje të Xhakartës për aktivitetet kineze pranë ishujve Natuna.

Angazhimi u konfirmua gjatë takimit të parë të përbashkët të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të dy vendeve në Pekin, ku u theksua nevoja për të bashkëpunuar në zhvillimin e infrastrukturës, shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe forcimin e masave të sigurisë detare.

Deklaratat erdhën në një kohë kur anijet kineze të peshkimit, të shoqëruara shpesh nga rojet bregdetare, janë parë duke operuar brenda zonës ekskluzive ekonomike të Indonezisë – përfshirë edhe afër zinxhirit të ndjeshëm të ishujve Natuna.

Edhe pse të dyja palët shmangën përmendjen e drejtpërdrejtë të kësaj zone, ajo mbetet një pikë e nxehtë në marrëdhëniet mes dy vendeve, për shkak të pretendimeve të mbivendosura të Kinës, të përfshira në hartën e saj të “nëntë vijave”.

Në përgjigje të këtyre tensioneve, Indonezia ka rritur praninë ushtarake dhe patrullimet në rajon, ndërsa së fundmi ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Kinën për të zyrtarizuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë detare.

Kina ndërkohë ka theksuar gatishmërinë për të forcuar zbatimin e ligjit dhe për të luftuar krimin transnacional, ndërsa palët janë dakorduar edhe për të organizuar stërvitje të përbashkëta kundër terrorizmit brenda këtij viti.

Pavarësisht tensioneve, marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve po zgjerojnë më tej.

Kina është kthyer në partnerin më të madh tregtar të Indonezisë dhe një ndër investitorët kryesorë në projekte strategjike si hekurudha e shpejtësisë së lartë Xhakarta-Bandung dhe centrali lundrues diellor në Java Perëndimore.

Iniciativa kineze “Belt and Road” vazhdon të tërheqë interesin e Indonezisë, edhe pse diskutimet mbi kostot dhe afatet kohore kanë nxitur debat të brendshëm.

Ndërsa Kina kërkon të menaxhojë mosmarrëveshjet detare në mënyrë bilaterale, për të shmangur presionin ndërkombëtar, zyrtarët indonezianë theksojnë se ruajtja e paqes dhe sigurisë në rajon është në interes të përbashkët.

Sipas ministrit të Jashtëm indonezian Sugiono, bashkëpunimi kundër kërcënimeve si terrorizmi, ekstremizmi dhe krimi kibernetik është po aq i rëndësishëm sa edhe çështjet detare.

 

Po ndodh...