Trump për Kanadanë: Nuk kemi nevojë për asgjë prej tyre, ata kanë nevojë për gjithçka nga ne

6 Maj 2025, 18:11 / BOTA ALFA PRESS

Trump për Kanadanë: Nuk kemi nevojë për asgjë prej

Pak para takimit të shumëpritur me kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zgjodhi të rrisë tonet.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump shprehu dëshirën për të bashkëpunuar me udhëheqjen e re kanadeze, por nuk nguroi të kritikojë vendin, duke folur për “privilegje të tepruara” që, sipas tij, Kanadaja i gëzon në dëm të Shteteve të Bashkuara.

“Pres me padurim të takoj kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney. Dua me të vërtetë të bashkëpunoj me të”, shkroi Trump. “Por nuk arrij të kuptoj një të vërtetë të thjeshtë – pse Amerika subvencionon Kanadanë me 200 miliardë dollarë në vit, i ofron mbrojtje ushtarake falas dhe shumë të tjera?”.

Presidenti amerikan vazhdoi duke vënë në dyshim rëndësinë e marrëdhënieve tregtare me vendin fqinj: “Nuk kemi nevojë për makinat e tyre, nuk kemi nevojë për energjinë e tyre, nuk kemi nevojë për dru e materiale të tjera që ata kanë – përveç miqësisë së tyre, të cilën shpresoj ta ruajmë. Ata, nga ana tjetër, kanë nevojë për gjithçka nga ne!”.

Në përfundim të postimit, Trump theksoi se mbërritja e kryeministrit kanadez është “në prag”.