
PDK: Presidentja mund të thërrasë një takim me të gjitha subjektet politike

Partia Demokratike e Kosovës tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si institucion mbi partiak, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm që të thërrasë një takim me të gjitha subjektet politike parlamentare, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për bllokadën në formimin e institucioneve të reja.
“Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”, u tha në komunikatën e lëshuar nga PDK-ja pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie të mbajtur pasditen e 7 majit.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar krijimin e një qeverie tranzitore, deri në zgjedhjen e presidentit të ri vitin e ardhshëm, si mënyrë për të tejkaluar krizën në formimin e institucioneve të reja, pas mbajtjes së zgjedhjeve më 9 shkurt.
PDK-ja tha se çdo iniciativë që synon zgjidhjen e bllokadës “meriton të dëgjohet dhe diskutohet”.
Një propozim i tillë është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë thënë se janë të gatshme të diskutojnë për një ide të tillë.
Megjithatë, PDK, që doli e dyta në zgjedhje pas Lëvizjes Vetëvendosje, tha se zgjidhja më e mirë është që partitë të cilat mandatin e kaluar ishin në opozitë, të formojnë ekzekutivin e ri.
“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë.
Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”, u tha në njoftimin e PDK-së.
Kjo parti tha se që nga përfundimi i zgjedhjeve, ka zhvilluar takime me të gjitha subjektet politike, përfshirë edhe LVV-në, "ndonëse e konsiderojmë atë përgjegjëse kryesore për krizën aktuale".
"Ky angazhim është shprehje e bindjes sonë se dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga e vetme për të dalë nga krizat politike dhe për të rikthyer normalitetin institucional", u tha në njoftim.
As pas gati tre muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, Kosova nuk ka institucione të reja.
Më herët gjatë 7 majit, në vazhdimin e 12-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetët nuk arritën të konstituonin organin ligjvënës.
Çështja ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit, propozimi i të cilit i takon LVV-së si fituese e zgjedhjeve.
LVV-ja për këtë post ka propozuar Albulena Haxhiun, por në gjashtë votime ajo ka dështuar të marrë 61 votat e nevojshme. Partitë, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, e kanë konsideruar Haxhiun si figurë përçarëse, dhe disa nga këto parti i kanë kërkuar LVV-së që ta ndryshojë kandidaten.
LVV-ja ka refuzuar thirrjet për ndryshimin e propozimit për kryeparlamentar. Kjo parti, më herët ka propozuar që kryeparlamentari dhe nënkryetarët e Kuvendit të votohen në pako - gjë që është refuzuar nga partitë e tjera.
Ditë më parë, kreu i LVV-së, Albin Kurti, po ashtu ka ftuar në takim kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ky i fundit nuk e ka pranuar ftesën.
Më pas, Kurti i është drejtuar me një letër Abdixhikut duke i propozuar që të arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje. Por, Abdixhiku ka refuzuar këtë ofertë dhe ka propozuar krijimin e një qeverie tranzitore, që do të përfshinte të gjitha partitë shqiptare, deri në zgjedhjen e presidentit./REL

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128