Cilët janë deputetët që shkuan më vonesë tek Berisha të cilët rrezikojnë mandatin sipas sondazheve paraprake

30 Prill 2025, 21:30 / POLITIKË ALFA PRESS

Cilët janë deputetët që shkuan më vonesë tek

Ndarja e madhe e PD mund të themi se kaloi në disa faza, ku ndër to u vendos dhe fati i disa prej deputetëve.
Fillimisht deputetët e PD-së ishin ata që u pozicionuan kundër non-gratës, por nuk hezituan që ta ndryshonin haptazi këtë qëndrim pasi Berisha mori partinë.

I pari sigurisht ishte ai i grupimit ‘’Bardhi’’, e më pas emra të tjerë të deputetëve që ndryshuan qëndrimet dhe u bashkuan me Berishën, duke u futur fillimisht në primare, e më pas duke pritur me kërshëri listat!

Grupimi “Bardhi” ishte një flirt politik që nisi me zgjedhjet e majit në 2023 dhe konkludoi në shkrirjen e akujve dhe lënien në harresë të akuzave që kishin shkëmbyer.

Por me afrimin e zgjedhjeve dhe Berisha i vuri piketat duke mos e pranuar të plotë grupimin apo dhe deputetët që i shkuan me vonesë.

Kreu i PD vendosi disa prej drejtuesve të qarqeve nga ky grup, por nga ajo që u pa më pas, krahet jua preu për të mos i forcuar më tej.
Më kryesorët që u lanë nga Berisha në listat e hapura mund të themi se janë Kreshnik Çollaku, Jorida Tabaku, Xhemal Gjunkshi, Kastriot Piroli, Dhurata Çupi etj.

Ikjet e para dhe dy deputetët që nuk u futën në primare

Ferdinand Xhaferri dhe Helidon Bushati ishin të parët që nuk u futën në primare duke ndjerë kështu rrengun që po ju përgatiste Sali Berisha me primaret që nuk rezultuan të vërteta.

Në Shkodër ndryshe nga të gjitha rastet e tjera ne listën e hapur është lënë një nga besnikët e Berishës, pikërisht Bardh Spahia.

Do të duhen 5 mandate nga ana e PD që ai të ketë shanse të hyjë në kuvend. Edhe në Kukës Berisha futi në listën e hapur deputetin Isuf Çela.

Në Lezhë Berisha ka lënë në listat e hapura dy deputetë Lindita Metaliajn dhe Kastriot Pirolin, e bashkë me ta në listat e hapura është dhe Gjin Gjoni që po minimizon shanset e të tjerëve.

Në Dibër Berisha ka futur në lista të hapura Xhemal Gjunkshin i cili u bashkua me Berishën në minutat e fundit, para primareve, kurse në Durrës Andia Ulliri që shkoi më vonë tek Berisha!

Deputetes do të duhet të marrë si fillim vota personale, por fati i saj varet dhe nga partia që do duhet të kalojë pragun e 6 deputetëve.

Në Elbasan Lefter Gështenja nuk u fut fare në listë, por zhurmë më të madhe krijoi dhe lënia jashtë e Dash Sulës.

Dhe Tirana duket një arenë e fortë politikë në listat e hapura.

Në listat e PD ka emra si Ilir Meta, Jorida Tabaku, Kreshnik Çollaku, Ilir Alimehmeti, Asllan Dogjani, Dhurata Çupi, Myslym Murriti, Grigles Muçollari, Shpëtim Idrizi etj.

Por sondazhet më të mira nuk japin shumë shpresa për më shumë se 1 apo 2 deputetë të dalë nga lista e hapur. 

Në analizën e përgjithshme duket se Berisha ka arritur që ta zvogëlojë forcën e grupit të dytë që ju afruan këtij të të fundit ndoshta për pragmatizëm politik.

Po ashtu në rang kombëtar sondazhet deri më tani tregojnë që në vetëm pak zona PD do të arrijë të kapërcejë listën e mbyllur, pra shumë prej emrave pritet të jenë jashtë parlamentit të ardhshëm. 

Dhe kështu zërat në rastin e humbjes do të jenë të gjithë pro qëndrimit të Berishës në krye, pasi në listat e mbyllura janë të gjithë besnikët me ndonjë përjashtim të 3 ose 4 emrave. 

Kujtojmë që Berisha për 11 majin dha mandate të sigurta për Vangjel Dulen, Mediun dhe plot 4 vende të sigurta për Partinë e Lirisë./Alfapress.al