“Është shumë e mirë me fëmijët e mi”/ Ben Affleck flet si rrallëherë për Jennifer Lopez: E adhuroj kur…

18 Prill 2025, 22:40 / SHOWBIZ ALFA PRESS

“Është shumë e mirë me fëmijët e mi”/

Ben Affleck ka bërë së fundmi disa komente të rralla për ish-bashkëshorten e tij, Jennifer Lopez. Gjatë një interviste për “Entertainment Tonight” në tapetin e kuq të premierës së filmit, “The Accountant 2”, aktori i famshëm foli me shumë respekt për Lopes dhe u shpreh i lumtur që ishin të gjithë fëmijët e tyre të pranishëm në ngjarje.

“Fëmijët janë këtu, fëmijët e Jen janë këtu. Jam shumë, shumë i emocionuar. E adhuroj kur të gjithë fëmijët vijnë”⁠, tha 52-vjeçari.

Affleck, i cili ka tre fëmijë me ish-bashkëshorten Jennifer Garner, dhe Lopez, e cila ka binjakët Emme dhe Max me ish-burrin Marc Anthony, duket se ruajnë një marrëdhënie të mirë pas ndarjes.

“Unë nuk i lexoj shumë gjërat online, dhe ndonjëherë kam përshtypjen se njerëzit duan me patjetër të gjejnë diçka negative për të folur”, tha ai duke shtuar:

“Për hir të së vërtetës, Jennifer Lopez është spektakolare, është shumë e mirë me fëmijët e mi, ka një marrëdhënie të vazhdueshme të shkëlqyer me ta. I dua fëmijët e saj. Janë të mrekullueshëm. Ajo është një person jashtëzakonisht i rëndësishëm, me shumë integritet, që unë e adhuroj dhe jam mirënjohës që e kam pasur në jetën time”.

I emocionuar për praninë e tyre në premierë, Affleck shtoi:

“Jam i lumtur që fëmijët janë këtu me mua. Marrëdhëniet që mund të krijosh me fëmijët janë gëzimi i jetës sime. Janë fëmijë fantastikë dhe jam i lumtur që ky është një film që ata kanë dashur ta ndjekin”.

Affleck dhe Lopez u martuan në korrik të vitit 2022, rreth 20 vite pasi anuluan fejesën e tyre të parë. Megjithatë, pas dy vitesh martesë, Lopez kërkoi divorcin, në gusht të vitit 2024, dhe ndarja e tyre u finalizua në janar 2025, katër muaj pasi ishin ndarë në heshtje.