Hegseth ngre alarmin: Kina e aftë të shkatërrojë luftëanijet amerikane në pak minuta

6 Maj 2025, 19:13 / BOTA ALFA PRESS

Hegseth ngre alarmin: Kina e aftë të shkatërrojë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë aktualisht 11 aeroplanmbajtëse në shërbim aktiv, përfshirë 10 të klasës Nimitz dhe 1 të klasës së avancuar Gerald R. Ford. Këto anije gjigante kanë qenë prej dekadash themeli i fuqisë ushtarake dhe diplomacisë amerikane nëpër botë. Por, sipas paralajmërimeve të fundit nga vetë Pentagoni, këto simbole të fuqisë mund të jenë në rrezik.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se raketat hipersonike kineze mund të shkatërrojnë të gjithë flotën e aeroplanmbajtëseve amerikanë për vetëm 20 minuta në rast të një konflikti të menjëhershëm. “Kina ka ndërtuar një ushtri me qëllimin specifik për të mposhtur SHBA-të”, u shpreh ai në një intervistë.

Sipas Hegseth, ushtria amerikane “humbet ndaj Kinës në çdo simulim lufte” të organizuar nga vetë Pentagoni. Ai fajësoi burokracinë amerikane dhe ritmin e ngadaltë të modernizimit ushtarak, në një kohë kur Kina po përparon me shpejtësi në teknologjitë strategjike.

Në shtator të vitit 2024, Kina kreu një provë të një rakete balistike ndërkontinentale që përfundoi në një zonë të caktuar të Oqeanit Paqësor – një veprim i rrallë që shihet si paralajmërim i qartë ndaj SHBA-ve dhe aleatëve të saj në rajon. Ekspertët theksojnë se kjo është prova e parë e tillë që nga viti 1980, shkruan A2.

Raketa e testuar, DF-27, thuhet se ka një rreze veprimi nga 5.000 deri në 8.000 kilometra, duke e cilësuar atë si një ICBM – raketë balistike ndërkontinentale, me kapacitet për të goditur deri në Alaskë apo Hawai.

Aktualisht, Kina ka ushtrinë dhe marinën më të madhe në botë, buxhetin e dytë më të lartë ushtarak pas SHBA-ve, dhe forcat ajrore më të mëdha në rajonin e Indo-Paqësorit. Më shumë se gjysma e avionëve të saj luftarakë janë të gjeneratës së katërt ose të pestë.

Me një arsenal të madh raketash, bombardues strategjikë dhe nëndetëse me energji bërthamore, fuqia ushtarake e Kinës po sfidon seriozisht dominimin global amerikan. /Washington Times

 

Po ndodh...