Kallas kritikon pjesëmarrjen e Vuçiçit në paradën e Moskës: Shtetet anëtare nuk po e përtypin lehtë këtë!

8 Maj 2025, 18:32 / BOTA ALFA PRESS

Kallas kritikon pjesëmarrjen e Vuçiçit në paradën e

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka kritikuar pjesëmarrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, në paradën ushtarake në Moskë, krahas presidentit rus, Vladimir Putin. Në një deklaratë Kallas ka thënë se shtetet anëtare kanë shumë pyetje për Vuçiçin, përkatësisht rreth asaj se kush është vërtet mik i Serbisë.

“Nga ana pozitive, ushtria serbe nuk po merr pjesë në paradë. Kjo do të kishte qenë vërtet një nivel tjetër. Por sigurisht që mbetet në ndërgjegjen e këtyre njerëzve që shkojnë krah për krah me Putinin, i cili po zhvillon një luftë tani luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. 

Sigurisht, shtetet anëtare nuk po e përtypin lehtë këtë. Kur diskutojmë hapat e ardhshëm, atëherë shtetet anëtare kanë shumë pyetje. Kush është miku juaj me të cilin keni të bëni vërtet?”, ka deklaruar të enjten Kallas nga Varshava.

BE-ja u ka bërë thirrje liderëve të vendeve që synojnë anëtarësimin në BE, përfshirë Vuçiçin, të shmangin pjesëmarrjen në paradën e fitores së Luftës së Dytë Botërore në Moskë, për shkak të agresionit të paprovokuar rus ndaj Ukrainës. Megjithatë, presidenti autoritar i Serbisë ka zgjedhur t’i injorojë paralajmërimet e BE-së.

 

Po ndodh...