Papa Leon XIV takim me kardinalët: Ndiqni gjurmët e Françeskut!

10 Maj 2025, 16:43 / BOTA ALFA PRESS
Papa Leon XIV takim me kardinalët: Ndiqni gjurmët e Françeskut!

Papa Leon XIV zhvilloi sot një takim me të gjithë kardinalët katolikë dhe diskutoi për punën e tij të ardhshme.

Duke folur para kardinalëve, ai tha se “Papa, duke filluar nga Shën Pjetri dhe duke arritur deri tek unë, pasardhësi i tij i padenjë, është një shërbëtor i përulur i Zotit dhe i vëllezërve. Kjo u demonstrua qartë nga shembujt e shumë paraardhësve të mi, së fundmi ai i Papa Françeskut, me përkushtimin e tij të plotë ndaj shërbesave të tij dhe thjeshtësinë e tij të rreptë në jetë. Ai iu dorëzua Zotit gjatë misionit të tij dhe ishte plot besim të qetë në çastin e kthimit në shtëpinë e të atit”, theksoi Papa i ri.

Ne e shfrytëzojmë këtë trashëgimi të çmuar dhe fillojmë të ecim përsëri, me të njëjtën shpresë që vjen nga besimi”, shtoi Leon XIV.

Njëkohësisht, Papa i ri theksoi se duhet t’i kushtohet rritjes së sinodalitetit, veprës misionare të Kishës, kujdesit të dashur për të fundit dhe të margjinalizuarit, si dhe dialogut të guximshëm me botën bashkëkohore, me realitetet dhe aspektet e saj të ndryshme.

Këto janë pika të përfshira në një “Nxitje Ungjillore” nga Papa Françesku.

Duke iu referuar emrit që zgjodhi dhe trashëgimisë së Françeskut, Papa i ri theksoi: Duke ndjerë se duhet të ndiqja këto gjurmë, mendova të merrja emrin Leo XIV. Ka shumë arsye, por kryesisht sepse Papa Leo XIII, me Enciklikën e tij historike Rerum Novarum, trajtoi problemet sociale në kontekstin e revolucionit të parë industrial. Sot Kisha u ofron të gjithëve katekezën e saj të pasur shoqërore, për t’i dhënë përgjigje një revolucioni tjetër industrial dhe zhvillimeve në inteligjencën artificiale, të cilat sjellin sfida të reja në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe punës.”