Tajfunët alarmojnë Vietnamin, urdhërohet evakuimi i 500 mijë banorëve! Parashikohen dallgë deri në 4 metra

25 Gusht 2025, 09:03 / BOTA ALFA PRESS

Tajfunët alarmojnë Vietnamin, urdhërohet evakuimi i 500 mijë

Autoritetet vietnameze kanë urdhëruar evakuimin e më shumë se 586,000 njerëzve ndërsa tajfuni Kajiki afrohet me shpejtësi drejt brigjeve të vendit.

Parashikuesit e motit kanë paralajmëruar se stuhia, e cila tashmë po shoqërohet me erëra deri në 166 km/orë, pritet të forcohet më tej përpara se të godasë tokën të hënën herët në mëngjes.

Evakuimet po kryhen në provincat qendrore Thanh Hoa, Quang Tri, Hue dhe Da Nang, ku banorëve u është kërkuar të largohen nga shtëpitë e tyre. Të gjitha fluturimet janë anuluar, ndërsa anijeve u është ndaluar të dalin në det.

Ndërkohë, tajfuni po kalon pranë Hainanit në Kinë, ku janë regjistruar reshje të dendura deri në 320 mm. Sipas BBC Weather, edhe pse stuhia pritet të dobësohet disi gjatë lëvizjes drejt Vietnamit, ajo do të vazhdojë të sjellë erëra deri në 200 km/orë dhe reshje të dendura në masën 300-400 mm, duke ngritur rrezikun për përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu.

Gjithashtu, parashikohen dallgë stuhie prej 2 deri në 4 metra, duke rritur rrezikun për zonat bregdetare.

Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të mos dalin jashtë pas orës 14:00 GMT të dielën, ndërsa forcat ushtarake janë dislokuar për të ndihmuar në operacionet e evakuimit dhe sigurisë.

Sipas ministrisë së bujqësisë dhe mjedisit, situata është “jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e pasigurt për çdo automjet apo strukturë”, përfshirë anijet e peshkimit, turizmit dhe fermat ujore.

Vietnam Airlines ka anuluar të paktën 22 fluturime të planifikuara për të dielën dhe të hënën, në dhe nga qytetet qendrore.

Zyrtarët vietnamezë kanë shprehur shqetësimin se Kajiki mund të shkaktojë shkatërrime të ngjashme me tajfunin Yagi, i cili vitin e kaluar vrau qindra njerëz, përfshirë 300 viktima vetëm në Vietnam.

Po ndodh...