Terroristët me Maska të Medias

25 Gusht 2025, 11:55 / EDITORIAL NGA ERMAL MULOSMANI

Terroristët me Maska të Medias

Një ndër fenomenet më negative të medias së lirë, është mbipopullimi i saj me gazetarë të vetëquajtur “investigativë”.

Të veshur me këtë emër zulmëmadh mbi shpinë dhe të armatosur me “Interesin Publik” në brez, shumica e tyre janë veç Banditë me Maskë që terrorizojnë njerëz.

Kushti i parë për tu pranuar në “Bandën me Maska”, është mungesa totale e skrupulozitetit profesional. Profesionalizmi dhe e vërteta, braktisen të parat, njësoj siç braktis kujtimet e fëmijërisë dhe dlirësinë një prostitutë te dera e hyrjes së një shtëpie publike.

Në jetën e re të banditëve mediatikë nuk ka vend për sentimentalizma, si “e vërteta” apo gjepura, si “skrupuj moralë”.

Këto janë broçkulla "të botës së atyre", (Nënkupto viktimave).

Banditët e Mediave urrejnë librat. Maksimumi lexojnë ndonjë roman policesk që u ndez fantazinë, apo ritregojnë bëmat e mafiozëve shqiptarë, të kohëve të fundit. Legjendat e tyre, ekspertiza e tyre e vyer na artin e shtrëngimit ndaj biznesit, është mjaft frymëzuese për ta. Idhujt e tyre janë Vis Martinaj, Shullazi, Dajti, Sueli etj.

Montanelin e dinë artist filmash ose, me pak fjalë, “një të botës së atyre”…

Banditët e Medias kanë manualin e tyre të pafytyrësisë. Njëri prej tyre, një injorant i shkallës së parë, aftësia e të cilit për të ndërtuar fjali me më shumë se pesë fjalë, pa gabime ortografike, është krejt e dyshimtë, u kap dy vite më parë, me figurë dhe zë, duke shpjeguar manualin e tij të gjobëvënies.

Banditi ishte joshur nga një vajzë e re dhe kishte rënë pre si dhelpra në çark. Ai i shpjegonte “aspirantes” për gjobëvënëse, sesi duhet të veprojë për të kapur prenë e saj.

Predatori u bë qepaze! Kështu kujtuan pretë e tij.

Por, siç ju thashë më lart, banditi mediatikë dhe skrupujt moralë apo profesionalë janë dy botë paralele. Ai sot është edhe më i uritur, edhe më gjakpirës, edhe më injorant seç ishte. Ai punon ditën në një media të njohur dhe natën armatoset dhe del poshtë urës me portalin e tij “Banditi me Maskë”.

Mendimet e tij erëmuti shiten në tregun e mediave, si të ishin analiza të mirfillta investigative.

Një tjetër bandit doli në përgjimet e mfiozëve më të rrezikshëm të Shqipërisë me referencën, “Ky për lekë q… nënën e vet”. Por me siguri ishte një teprim... Tani ai është sërish i pranishëm me mendimet e tij të vyera për sportin, politikën, teatrin dhe gjeopolitikën.

Si thotë ajo kënga e Kryeministrit: “Gjithçka mund të ndodhi/ Jetojmë në Tiranë”

Ky është fundi i medias. Nëse një media cilësore i pranon në radhët e veta element të tillë, i promovon, i ushqen, i lavdëron po bën në fakt dëmin më të madh ndaj vetvetes. Askush nuk ka aq zell në ditët e sotme të ndajë grurin nga kashta.

E gjithë media bëhet kashtë.

Në kërkim të klikimeve, titujve bombastikë, thashethemeve dhe pafytyrësisë, gazetarët e emisioneve televizive të pafundme, i bëjnë pjesë të tyre këta banditë. Ata bëhen në këtë moment bashkëfajtorë.
Sapo mbaron emisioni i darkës, banditi del poshtë Urës së Mifolit a Kthesës së Shkopetit.

Ka me vete dy armë:
1) Urrejtja popullore ndaj biznesit dhe politikës

2) Një e vërtetë a thashethemnajë e nxjerrë nga konteksti.

Këto i përzien me një erëmim thashethemesh, ku të shpikura e ku ekzistuese dhe ja u bë kokteji i molotovit. Ndizet fitili me çakmakun e “cënimit të interesit publik” dhe në mëngjes ndodh shpërthimi.

Por, kujdes, lihet diçka pa thënë. Është paralajmërim. Në nëntekst diku lexohet se ekzistojnë fakte të reja që do dalin në ditët e ardhshme…

Del viktima në punë pas një gjumi të sikletshëm. Njeri namuzmadh e sedërli, që punon nga mëngjesi deri në darkë dhe mezi e zë gjumi nga hallet e biznesit. Fjala vjen është sipërmarrës bujqësor a blegtoral. Që ka 30 vjet punë në rritjen e biznesit të tij dhe ka krijuar një emër. Pasojat e asaj pune, kohë pa kohë, i kanë lënë shenjë në shëndet, zemra i është dobësuar, tensioni rritur. Do vetëm të shijojë ato vite që i kanë mbetur në paqe. Emri i tij është i shenjtë, e ka ngritur me mund e me djersë.

Kur zgjohet në një mëngjes lexon se Banditi me Maskë i ka vënë gjobën:

“Lufra dhe Erzeni kanë shitur qumësht kancerogjen”.

Kur e lexon këtë titull ti mendon se menjëherë Prokuroria do të arrestojë drejtuesit e Kompanive, ose artikullshkruesin për titullin terrorist. Por asgjë nuk ndodh.

Kërkon për proces verbalin e AKU-së por nuk është. Është njëfarë thashethemi diku, që qumështi i Lufra-s ka përmbajtje të lartë të aflatoksinës!

Siç e thamë më lart, e vërteta puro është një tekë e ekzagjeruar nga lexuesit. Plus ajo nuk është asnjëherë në favor të gjobvënësve ndaj erëmohet me thashetheme.

Ja një shembull tjetër:

Portali “Banditi me maskë” e çon një thashethem te një faqe Facebooku anonime por popullore si Lol ita. U thotë atyre publikojeni ju dhe e marrr unë nga ju lajmin: Ja ça thotë lajmi:

Mashtrimi: “Lufra reklamon lopën por nuk ka stallë lopësh”!

Çfarë gallate! Të citosh një thashethem Facebooku për të bërë një lajm! Futu brenda lajmit asgjë! Një bosh i madh!

Por pronari i Lufras, sigurisht nuk e përjeton kaq qetësisht sa ne, lexuesit që nuk i besojmë. Ai sheh që lajmi ka marrë mijëra like dhe qindra share dhe terrorizohet. Tensioni i shkon në maksimum dhe kushedi si e ka hëngër karremin e terroristit mediatik…

Shko te sallamet. EHW, Hako apo ça të duash. Tituj bombastikë, terrorizues:

“Një punëtor dëshmon se në përmbajtje të sallamit ka kocka dhe lëkurë”.

E njëjta dorë terrorizuese, i njëjti stil. Përzierje thashethemesh me fantazi për të prodhuar terror. Dhe viktima që terrorizohen.

Kjo nuk është gazetari. Këta nuk janë gazetarë, janë terrorista mediatikë. Sa më shpejt të demaskohen, sa më shpejt gazetaria të ndahet nga Banditi me maskë, aq më shpejt do të shpëtojë nderi i tyre.

Po ndodh...