
Treguesit e rrezikut të borxhit publik në rënie edhe në 2025, mbështetet nga forcimi i Lekut

Treguesit e riskut të borxhit të publik këtë vit paraqiten në rënie edhe gjatë vitit 2025. Sipas informacionit të publikuar nga Ministria e Financave, rreziku i rifinancimit ose vlera e borxhit të brendshëm që maturohet brenda një viti në mesin e këtij viti përbënte 40.9% të totalit, nga 43.9% që zinte një vit më parë.
Në dekadën e fundit, Ministria e Financave ka ndjekur një strategji të zgjatjes graduale të maturitetit të borxhit publik, me qëllim kryesor uljen e rrezikut të rifinancimit, por edhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit.
Vlera e borxhit të brendshëm me maturim brenda një viti pësoi një rënie të ndjeshme nga 53.5% në vitin 2016, në 44.8% në vitin 2020.
Ndërkohë, në periudhën 2021-2022 kjo tendencë u frenua, për shkak të pasigurisë që shkaktoi rritja e normave të interesit, që e detyroi Ministrinë e Financave të rriste peshën e emetimeve të titujve afatshkurtër të borxhit.
Rritja e shpejtë e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë bëri që investitorët institucionalë, kryesisht bankat, të ishin hezitues në investimet në instrumente afatgjata.
Në këtë situatë, qeveria u detyrua të përshtatej dhe ta orientonte më shumë huamarrjen e brendshme drejt bonove të thesarit.
Në fund të vitit 2022, borxhi me maturim brenda një viti arriti në 47.9% të totalit të borxhit të brendshëm, ndërsa piku u shënua në fund të tremujorit të parë 2023, me 51.9% të totalit.
Por, frenimi i ciklit të rritjes së normave të interesit dhe rënia e yield-eve në vijim i mundësoi qeverisë shqiptare vijimësinë e strategjisë për të zgjatur maturitetin e borxhit publik.
Në mesin e këtij viti, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 2.9 vjet, nga 2.56 vjet që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje dëshmon pikërisht përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë gjatë 12-mujave të fundit.
Edhe indikatorët e tjerë të riskut të borxhit publik po ndjekin një tendencë rënëse këtë vit.
Risku i normave të interesit, i shprehur si përqindja e borxhit që rifiksohet brenda një viti kundrejt totalit të borxhit publik zbriti në 41%, nga 44.4% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Edhe ky tregues është në nivelin më të ulët, të paktën që prej vitit 2016.
Ndërkohë, rreziku i kursit të këmbimit, i shprehur si raporti i borxhit në monedhë të huaj ndaj totalit të borxhit publik, ishte në nivelin në 43.3%, po aq sa një vit më parë.
Qeveria shqiptare emetoi në shkurt të këtij viti Eurobondin e radhës në Bursën e Londrës, çka solli zgjerim të mëtejshëm të portofolit të borxhit në valutë të huaj. Por, megjithatë forcimi i vazhdueshëm i Lekut në kursin e këmbimit në vitet e fundit po ndikon në uljen e vlerës së borxhit në valutë të huaj dhe peshën e tij specifike ndaj totalit të borxhit publik.
Borxhi publik i Shqipërisë po ndjek një tendencë rënëse, i mbështetur nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit dhe një politikë fiskale konsoliduese, me deficite buxhetore më të ulëta. Në fund të vitit 2024, borxhi publik zbriti në 54.21% të PBB-së, ndërsa sipas vlerësimeve paraprake të Ministrisë së Financave në mesin e këtij viti borxhi publik ishte 54.02% e PBB-së./ Monitor

Partia e Ramës dhe partia e Berishës-Cipa dhe liria!
ide


Pse autostrada Tiranë–Durrës është më e frikshme se ajo nga Kievi në Moskë?

Nuk u ndamë as kur shumëçka na ‘ndante’!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128