Osmani kërkon masa kundër Vuçiçit, Costa: Të shtensionohet situata në veri, pastaj heqim masat ndaj jush

14 Maj 2025, 23:47 / KOSOVA ALFA PRESS

Osmani kërkon masa kundër Vuçiçit, Costa: Të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi masa ndaj homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiç, pasi ky i fundit qëndroi në Moskë javë më parë. Kërkesa shkoi tek Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i cili qëndroi në Prishtinë, ku takoi edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti. 

“Vizita e tij në Moskë nuk mund të shihet në asnjë dritë tjetër përpos se një akt i qartë politik që sfidon edhe vetë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e Europës dhe nëse një vend pretendues për të qenë anëtar sillet kështu dhe nuk ballafaqohet me asnjë masë lidershipi i atij vendit, atëherë pyetja lind natyrshëm çfarë mesazhi po i jepet rajonit tonë”, tha Osmani, shkruan A2. 

Osmani kërkoi gjithashtu edhe heqjen e masave ndëshkuese të Kosovës të vendosura prej dy vitesh pas tensioneve në veri të Kosovës. Sipas saj, Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat që erdhën nga Marrëveshja e Bratisllavës: “Së shpejti, bëhet një vit prej se z. Borrell, i cili ka qenë udhëheqësi i dialogut, formalisht ka konstatuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura nga ana e Bashkimit Europian në mënyrë që të hiqen masat”. 

Presidenti i Këshillit Europian, Costa tha se masat lidhen me situatën e sigurisë në pjesën veriore: “Këto masa lidhen me nevojën për t’i ulur tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Uroj që sa më shpejt do të ndodhë ky shtensionim. Pas shtensionimit, mund të ecim përpara dhe t’i heqim masat. Uroj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë trend të ri, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për shtensionim të situatës dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane dhe për t’u angazhuar në dialogun e Brukselit”. 

Në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian, Costa kujtoi normalizimin e raporteve me Serbinë: “Është jetike të bëhet përparim i mirëfilltë dhe i qartë në dialogun për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do t'i shërbente ambicieve tuaja në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe sigurisht në jetën e qytetarëve të Kosovës. Kosova e ka vendin në familjen europiane, por po ashtu kërkon që t'i përmbaheni zotimeve tuaja”. 

Costa konfirmoi se zgjerimi i Bashkimit Europian me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është prioritet i lidershipit aktual europian. 

 

Po ndodh...