Dështoi të hyjë në Parlament, flet Ilir Alimehmeti: Këtu kanë ndodhur çudira, ja e vërteta e madhe e zgjedhjeve

17 Maj 2025, 22:07 / POLITIKË ALFA PRESS

Dështoi të hyjë në Parlament, flet Ilir Alimehmeti:

Me rezultatin zhgënjyes të Partisë Demokratike, e cila siguroi vetëm 13 mandate në qarkun e Tiranës, mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, i cili garoi në listën e hapur e humbi shansin për t’u bërë pjesë e Kuvendit të ri.

Alimehmeti ishte në një “betejë” të fortë brenda llojit me Jorida Tabakun për të vetmin mandat preferencial të demokratëve, garë që në fund u fitua nga deputetja aktuale e PD.

I pyetur në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, se çfarë shkoi keq për PD në zgjedhjet e 11 majit, Alimehmeti u ndal te raporti paraprak i OSBE/ODIHR, duke nënvizuar shkeljet si presioni i aktivistëve të PS ndaj administratës dhe blerja e votës.

“Mendoj që keni të gjithë të qartë dhe keni vëzhguar se si janë përballur dhe si janë zgjedhjet në Shqipëri, në konceptin e nëse janë të lira dhe të ndershme. Unë jam njeri shumë institucional dhe flas me ato çka kemi zyrtarisht në dorë. Çka do të thotë se kemi një raport paraprak të OSBE/OIHR që thotë shumë qartë se kandidatët nuk kanë qenë të barabartë mes tyre, flasim për kandidatët mes opozitës dhe pozitës. Ku përmendet shumë qartë si është përdorur sërish administrata, shteti. Nëse ne pranojmë që i presim se zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme, ne kemi gabuar sistem. Hajde të themi direkt se jemi në diktaturë dhe ta mbyllim këtë bisedë. Nëse pretendojmë se jemi në demokraci, unë në 2025 të gjej të njëjtin raport si gjithmonë me të njëjta problematika, por që ka një fjali shumë të qartë. Kësaj here nuk thonë na janë raportuar por thonë ke i dëshmuar. Ka një diferencë shumë të madhe në nivel. Që do të thotë se ose kanë prova dhe fakte mbi atë që flasin sesi zgjedhjet nuk kanë qenë të lira dhe të ndershme, ose kanë dëshmuar dhe kjo gjë ka ndodhur para syve të vetë. Do ta ndjekim, raport paraprak është. Procesi ende nuk ka mbaruar. Kemi parë shumë mirë se na kanë ndodhur çudira. Po shihja se janë numëruar më shumë zarfe nga Diaspora se çfarë janë deklaruar. Pra gabime sistemi që kanë numëruar gabim zarfe, që do të thotë kam 10 zarfe në total dhe kam numëruar 11. Po kjo është qesharake. Fakt është që ne vit për vit, zgjedhje pas zgjedhje ne na bie pjesëmarrja në votim dhe kjo është sepse po të humb besimi se këto zgjedhje mund të bëhen ndonjëherë zgjedhje”, tha Alimehmeti “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.

I vendosur përballë faktit se Partia Socialiste e ruajti numrin e saj të votave, rreth 700.000 në 2021 dhe madje i shtoi asaj dhe rreth 100.000 mijë të tjera, bashkë me Diasporën, Alimehmeti tha se e njëjta gjë ndodhte dhe në regjimin komunist.

Po mo po edhe gjatë 50 viteve të diktaturës aty kanë qenë votuesit 99.9%. Por nuk do të thotë që ishin zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse ne nuk garantojmë dot një standard zgjedhjesh në Shqipëri, do të thotë se ne nuk japim dot shpresë për të bërë shtet në këtë Shqipëri dhe automatikisht njerëzit do të ikin. Kjo është arsyeja pse po ik rinia dhe shkretohet vendi. Dhemb kjo e vërteta këtu. Por sot e kësaj dite as qeveria nuk ka garantuar zgjedhje të lira dhe ndërkombëtarët kanë mbyllur sytë ndaj këtij elementi. Ti dhembi pastaj kujt ti dhembi”, deklaroi Alimehmeti në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN. (A2 Televizion)