“Shqiptarët votojnë në zgjedhjet testuese në rrugën drejt BE-së”/ Mediat ndërkombëtare jehonë garës elektorale të 11 majit

11 Maj 2025, 11:48 / POLITIKË ALFA PRESS

“Shqiptarët votojnë në zgjedhjet testuese në

Zgjedhjet në Shqipëri kanë tërhequr sot vëmendjen e medieve më të rëndësishme ndërkombëtare.

Më poshtë do të gjeni një përmbledhje të tyre:

”Socialistët të favorizuar në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë” është titulli i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA (Deutsche Presse Agentur)

”Partia Socialiste (PS) e kryeministrit Edi Rama konsiderohet si favoritja e qartë. Sondazhet e fundit të opinionit i japin asaj deri në 49% të votave. Kundërshtari i saj më i fortë është Partia Demokratike (PD) konservatore e veteranit politik dhe ish-presidentit Sali Berisha. Anketuesit e shohin atë në rreth 35%”, shkruan DPA.

”Që nga fundi i komunizmit më shumë se tre dekada më parë, vendi i vogël ballkanik në Detin Adriatik është polarizuar fort midis PS dhe PD-së… Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, po negocion pranimin në BE”, shton ajo.

”Vëzhguesit kanë vënë re kohët e fundit progres në luftën kundër korrupsionit”, thotë DPA.

”Shqiptarët votojnë në zgjedhjet testuese në rrugën drejt BE-së” është titulli i agjencisë franceze të lajmeve AFP (Agence France Presse)

”Shqiptarët do të votojnë të dielën për të zgjedhur midis kryeministrit dhe një opozite të gjerë të vendosur për ta rrëzuar atë, në një votim që konsiderohet vendimtar për ëndrrat evropiane të vendit të vogël ballkanik”, shkruan AFP.

Janë atashuar më shumë se 2 000 vëzhgues të huaj dhe shqiptarë dhe komuniteti ndërkombëtar në veçanti po i vëzhgon nga afër këto zgjedhje, të cilat shihen si një provë e funksionimit të duhur të institucioneve të brishta pas një fushate të ashpër”, shton ajo.

”Një proces i qetë është edhe më i rëndësishëm duke pasur parasysh se vendi, deri tani më pro evropiani në rajon, priti 13 vjet midis dhënies së statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe hapjes së negociatave, në korrik 2022”, thekson AFP.

”Një sfidë shtohet sot, me votimin, për herë të parë, nga diaspora nga jashtë vendit… Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rreth 246 000 shqiptarë që jetojnë jashtë vendit janë të regjistruar për të votuar”, shton ajo.

Anadolu Agency

Në Shqipëri ka filluar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se për këto zgjedhje janë regjistruar 53 parti politike si subjekte zgjedhore, mes tyre dhe disa parti të reja, ndërkohë që garojnë tre koalicione parazgjedhore.

Risia kryesore e zgjedhjeve është votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 në rrugë postare.

Zgjedhjet do të vëzhgohen nga një mision i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Delegacione vëzhguese gjithashtu do të ketë edhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe një delegacion nga Parlamenti Evropian, si dhe nga organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

ANSA

3,7 milionë shqiptarë janë thirrur të votojnë për të zgjedhur se kujt do t’ia besojnë drejtimin e vendit për katër vitet e ardhshme. Sfida për parlamentin e ri me 140 vende do të jetë midis socialistëve të kryeministrit Edi Rama, në mandatin e tij të tretë radhazi, dhe opozitës së qendrës së djathtë të udhëhequr nga Partia Demokratike e ish-kreut të shtetit dhe dy herë kryeministër Sali Berishës.

Në garë janë gjithashtu tetë parti të tjera dhe tre koalicione.

Për herë të parë, edhe emigrantët shqiptarë do të jenë në gjendje të marrin pjesë në zgjedhjet e nesërme.

Janë afërsisht 1,8 milionë votues që jetojnë jashtë vendit. Rreth 246 000 persona janë regjistruar duke marrë fletët e tyre të votimit me postë.

Përveç vëzhguesve të shumtë vendas, do të vendosen rreth 300 të dërguar afatshkurtër nga ODIHR, zyra e OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë).

Raporti i tyre i parë i vlerësimit pritet një ditë pas votimit.

REUTERS

Shqipëria zhvillon sot zgjedhjet parlamentare, ku kryeministri Edi Rama po kërkon një mandat të katërt të paprecedentë në detyrë, pas një fushate të dominuar nga premtimet për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe akuzat për korrupsion të përhapur.

“Ne do të marrim mandatin tonë të katërt dhe nuk do të humbasim asnjë ditë për Shqipërinë 2030 në BE”, tha ai në tubimin e tij të fundit të fushatës.

Sondazhet tregojnë se Rama ka një epërsi të madhe ndaj Berishës, i cili është dobësuar nga akuzat për korrupsion.

”Rritja ekonomike vjetore mbi 4% për vitet 2022-2024, e nxitur nga tregtia me BE-në dhe një bum në turizëm, i tejkaloi vendet e tjera të Ballkanit”, thotë Banka Botërore./ ATA