Juventusi i Tudorit, skuadër me dy fytyra. Pjesët e para i ka me ecurinë e një ekipi kampion, por…

7 Maj 2025, 21:29 / SPORT ALFA PRESS

Juventusi i Tudorit, skuadër me dy fytyra. Pjesët e para i ka me

Në futboll, shpeshherë thuhet se ndeshjet zgjasin 90 minuta, por për Juventusin e Igor Tudorit, realiteti është krejt ndryshe. Skuadra duket se luan vetëm për 45 minuta. Pas gjashtë ndeshjesh nën drejtimin e trajnerit kroat, “Zonja e Vjetër” ka shfaqur një pamje të dyzuar, thuajse dramatike.

Dominuese në pjesët e para dhe e pafuqishme në pjesët e dyta. Një ndarje që mund të ketë pasoja të rënda në një kampionat të ashpër si Seria A, ku gara për një vend në Champions është më e ngushtë se kurrë.

PJESËT- Barazimi 1-1 kundër Bolonjës ishte fotografia më e qartë e problemit. Një pjesë e parë e dominuar nga Juventusi, e ndjekur nga një kolaps i plotë në të dytën, ku jo vetëm humbi kontrollin e lojës, por edhe rezultatin. Ky nuk është një episod i izoluar. Në fakt, është modeli që ka ndjekur ekipi gjatë të gjithë kohës me Tudorin në stol. Nëse do të analizoheshin vetëm pjesët e para të këtyre gjashtë ndeshjeve, Juventusi do të ishte pothuajse perfekt.

Pesë herë në avantazh dhe vetëm një herë në disavantazh (kundër Parmës). 15 pikë nga 18 të mundshme janë tregues i një fillimi të fortë në çdo përballje. Por, situata përmbyset në mënyrë dramatike në pjesët e dyta. Tri barazime dhe tri humbje, pa asnjë fitore. Vetëm Monza ka bërë më keq në këtë aspekt. Një rënie që ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në humbjen e pikëve, katër të tilla të lëna rrugës që mund të rezultojnë vendimtare në fund të sezonit.

ARSYEJA- Fillimisht u mendua se këto rënie ishin pasojë e një strategjie për të menaxhuar rezultatin. Në fund të fundit, nëse je në avantazh pas 45 minutash, është logjike të tentosh të ruash energjitë dhe të kontrollosh ritmin. Por, analiza më e thellë tregon se problemi është më kompleks. Tudor ka sjellë një stil loje agresiv, të bazuar në presing të lartë dhe ripresing të menjëhershëm pas humbjes së topit. Një filozofi moderne, por që kërkon shumë nga ana fizike dhe mendore.

Dhe pikërisht aty qëndron problemi. Juventusi nuk ka një skuadër të përgatitur për të përballuar këtë lloj loje për 90 minuta. Lojtarët duken të lodhur pas pjesës së parë, energjia bie, distancat mes reparteve rriten dhe pasiguritë shtohen. Vetë Tudor, në deklaratat e tij para ndeshjes me Bolonjën, e pranoi në mënyrë të tërthortë këtë fakt, duke lavdëruar intensitetin dhe fizikun e skuadrës kundërshtare. “Në futbollin modern, fiziku mund të neutralizojë edhe cilësinë. Bolonja ka shumë. Të gjithë lojtarët e tyre janë të tillë”. Një krahasim që lexohet si një kritikë indirekte ndaj potencialit fizik të skuadrës së tij.

STOLI- Përveç mungesës së përgatitjes fizike, një tjetër problem serioz është mungesa e alternativave. Në Bolonjë, Juventusi kishte tetë mungesa, për shkak dëmtimesh dhe pezullimesh. Kjo ka bërë që Tudor të mos ketë mundësi reale për të bërë ndryshime, që mund të ndryshojnë fatin e ndeshjes. Statistika e frikshme tregon se asnjë nga lojtarët, që janë futur si zëvendësues, nuk ka ndikuar në rezultatin përfundimtar në asnjë nga ndeshjet nën drejtimin e Tudorit. Një fakt që flet për thellësinë e kufizuar të stolit dhe për formën e dobët të lojtarëve rezervë. Në këtë situatë, çdo minutë loje bëhet më e vështirë për skuadrën, e cila në pjesën e dytë duket më shumë si një grup i shpërndarë sesa një njësi e organizuar.

 

 

Po ndodh...