Kriza e Mançester Junajtidit, pronari Retklif humbet 6.5 miliardë paund pasuri

17 Maj 2025, 16:02 / SPORT ALFA PRESS

Kriza e Mançester Junajtidit, pronari Retklif humbet 6.5 miliardë
Bashkëpronari i Mançester Junajtidit, Sër Xhim Retklif, ka zbritur në listën e më të pasurve të “Sunday Times” pas një rënieje të pasurisë së tij neto.

Pasuria e 72-vjeçarit ka pësuar një rënie prej 6.5 miliardë paundësh gjatë vitit të kaluar, duke e bërë atë një nga ata që kanë rënë më shumë në listë. Si rezultat, pasuria e tij neto tani është 17 miliardë paund. Vitin e kaluar, Retklif kishte një pasuri neto prej 23.5 miliardë paundësh dhe u rendit i katërti në listën e të pasurve të “Sunday Times”.

Ndërsa në vitin 2023, ai u rendit i dyti me një pasuri prej 30 miliardë paundësh. Megjithatë, ai tani është i shtati në renditje mes një tjetër sezoni të vështirë të Junajtidit në Premier Ligë. “Djajtë e Kuq” janë duke bërë sezonin e tyre më të dobët në historinë e Premier Ligës, pavarësisht se Ruben Amorim dhe lojtarët e tij ende kanë mundësinë të kualifikohen për në Ligën e Kampioneve. Nëse mposhtin rivalët e Premier Ligës, Totenhemin, në finalen e Ligës së Europës javën e ardhshme, ata do të fitojnë një vend në kompeticionin elitar të Europës. Por nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, Junajtid do të humbasë rreth 100 milionë £ të ardhura.

Retklif dhe ekipi i tij i drejtuesve të “Ineos” kanë bërë qindra shkurtime të vendeve të punës te Junajtid, që kur morën drejtimin e klubit në fillim të vitit të kaluar. Shumë anëtarë të stafit tani janë të shqetësuar për sigurinë e tyre në punë nëse “Djajtë” nuk arrijnë të fitojnë Ligën e Europës për shkak të rënies së të ardhurave. Për më tepër, stadiumi i ri i klubit me 100,000 vende pritet të kushtojë më shumë se 2 miliardë paund, gjë që mund të çojë në rënie të mëtejshme të pasurisë neto të Retklifit. Stadiumi i ri pritet të hapet para sezonit 2030-‘31. Retklif është kryetar dhe drejtor ekzekutiv i grupit të petrokimikeve “INEOS”, të cilin e themeloi në vitin 1998.

Ai e bëri pasurinë e tij përmes “INEOS”, por që atëherë ka investuar një shumë të madhe parash në sporte të ndryshme. Miliarderi bleu ekskluzivitetin e skuadrës së çiklizmit “Sky” në vitin 2019 dhe e riemërtoi atë në “Team INEOS”. Një vit më vonë, ai dhe “INEOS” u bënë partnerë kryesorë të gjigantit të Formula 1, Mercedes. Përveç Mançester Junajtidit, ai zotëron edhe skuadrën e Ligës 1, Nisën.