Superliga e Kosovës/ Prishtina qëndron në elitë, ia del edhe Dukagjini

17 Maj 2025, 19:02 / SPORT ALFA PRESS

Superliga e Kosovës/ Prishtina qëndron në elitë, ia del edhe

Java e 35-të në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll ka sjellë emocione të mëdha, ku Dukagjini dhe Prishtina kanë arritur fitore tejet të rëndësishme, me të cilat e kanë siguruar mbetjen në elitë. Ndërkaq,në 90 minutat e fundit të kampionatit kanë mbetur të sqarohet se cila skuadër do të bie nga liga, e cila do të mbetet në barazh, si dhe skuadra që do ta sigurojë pjesëmarrjen në garat evropiane nga pozita e tretë.

Dukagjini ka arritur fitore të madhe në shtëpi ndaj Ferizajt, me rezultat 3:1, duke siguruar kështu qëndrimin në elitën e futbollit kosovar. Golat për skuadrën nga Klina i shënuan Dienit Isufi (18’), Hekuran Berisha (41’) dhe Elton Basri (85’), ndërsa për Ferizajn shënoi Erion Sadriu (75’). Me këtë fitore, Dukagjini renditet në vendin e gjashtë me 48 pikë.

Edhe skuadra e Prishtinës arriti fitore të madhe, por shumë të vështirë si mysafire ndaj Feronikelit 74, me gol të realizuar nga Ron Raçi, në minutat shtesë të ndeshjes. Me këtë triumf, kryeqytetasit siguruan matematikisht mbijetesën dhe iu shmangen edhe barazhit, pasi me 47 pikë në vendin e shtatë janë të paarritshëm për Llapin e vendit të tetë, edhe në rast barazimi të pikëve në fund, për shkak të bilancit më të mirë në përballjet direkte.

Llapi arriti një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Ballkanit, me rezultat 1:0, me gol të Ardit Tahirit. Por kjo fitore nuk i mjafton për të siguruar mbijetesën pa barazh. Me 44 pikë, Llapi mban vendin e tetë dhe në xhiron e fundit do të përballet me Dukagjinin. Ndërkohë, Suhareka ka triumfuar ndaj Malishevës, me rezultat 2:1 në udhëtim dhe me 42 pikë ruan matematikisht gjasat për mbijetesë, por në xhiron e fundit i duhet të fitojë ndaj Ballkanit dhe të shpresojë në dështimin e Llapit ndaj Dukagjinit.

Derbi i Anamoravës mes Gjilanit dhe Dritës përfundoi pa gola (0:0). Drita, javë më parë e siguroi titullin e kampionit, ndërsa Gjilani vazhdon të shpresojë për pozitën e tretë që siguron pjesëmarrje në garat evropiane. Aktualisht, Gjilani mban vendin e katërt me 50 pikë, vetëm dy më pak se Malisheva që mban vendin e tretë me 52 pikë. Në xhiron e fundit, Gjilani do të luajë në udhëtim ndaj Ferizajt, ndërsa Malisheva do të luajë në kryeqytet ndaj Prishtinës.

Po ndodh...