Fotot e dorës së nxirë të Donald Trump, Shtëpia e Bardhë thyen heshtjen për shëndetin e presidentit amerikan

25 Gusht 2025, 23:42 / BOTA ALFA PRESS

Fotot e dorës së nxirë të Donald Trump, Shtëpia e

Pamje të reja të dorës së Presidentit amerikan Donald Trump, ku shihet një pjesë e mbuluar me grim, janë bërë virale në rrjetet sociale ditët e fundit.

Fotot janë realizuar më 22 gusht gjatë një paraqitjeje në Zyrën Ovale, duke nxitur spekulime të shumta mbi arsyet e përdorimit të make up-it.

Këtë të hënë, gjatë takimit me Presidentin e Koresë së Jugut Lee Jae Myung, në fotot zyrtare u vu re edhe një mavijosje në dorën e djathtë të kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Ky detaj vjen pas deklaratave të muajit korrik, kur Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump ishte diagnostikuar me insuficiencë kronike venoze, një gjendje e zakonshme që lidhet me qarkullimin e gjakut. Zëdhënësja Karoline Leavitt theksoi më 17 korrik se diagnoza erdhi pas analizave të kryera për shkak të ënjtjes së këmbëve dhe shenjave të mavijosjes në dorë.

Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Barbabella, e përshkroi gjendjen si “beninje dhe të zakonshme”, duke shtuar se shenjat në dorën e presidentit janë të lidhura me irritime të vogla të indeve si pasojë e shtrëngimeve të shpeshta të duarve dhe përdorimit të aspirines për parandalim kardiovaskular.

“Presidenti Trump mbetet në gjendje shumë të mirë shëndetësore,” thuhej në memorandumin e publikuar nga Barbabella.

Ky nuk është rasti i parë që fotografitë e duarve të Trump nxisin komente në publik. Në muajin shkurt, gjatë vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në Uashington, u vu re një situatë e ngjashme, ndërsa edhe më 27 korrik në Skoci, gjatë takimit me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, fotot treguan shenja të dukshme në dorën e tij.

Ekspertët theksojnë se insuficienca kronike venoze është e zakonshme për moshën mbi 70 vjeç dhe se në rastin e Trump nuk ka shenja të problemeve më serioze si tromboza venoze, sëmundje arteriale apo insuficiencë kardiake.

Trump, i cili festoi 79-vjetorin më 14 qershor, është presidenti më i vjetër që ka nisur një mandat në historinë e SHBA.

Po ndodh...