Sulmi izraelit në Jemen, IDF: Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i shtabit të rebelëve Houthi janë vrarë

28 Gusht 2025, 19:50 / BOTA ALFA PRESS

Sulmi izraelit në Jemen, IDF: Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i shtabit

Grupi rebel Houthi në Jemen ka raportuar se forcat izraelite kanë ndërmarrë një sulm ajror ndaj kryeqytetit Sana’a, pasditen e sotme (e enjte), katër ditë pas bombardimeve të mëparshme që lanë 10 të vdekur.

“Agresion izraelit në kryeqytetin Sana’a”, raportoi televizioni i grupit Houthi, Al-Masirah, pa dhënë më shumë detaje.

Sipas informacioneve të siguruara nga burime të ushtrisë izraelite (IDF), mësohet se gjatë sulmit mund të jetë vrarë ministri i Mbrojtjes dhe shefi i shtabit të forcave të Houthi-ve.

Sulmet izraelite erdhën si përgjigje ndaj një serie raketash balistike të lëshuara nga territori jemenas drejt Izraelit, për të cilat përgjegjësinë e kanë marrë rebelët Houthi. Ushtria izraelite ka konfirmuar se sulmoi disa objekte ushtarake në Sana’a, përfshirë pallatin presidencial dhe një depo të karburanteve.

Sipas raportimeve nga media izraelite, figura të larta politike të lëvizjes Houthi kanë qenë objektiv i drejtpërdrejtë i këtyre goditjeve. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF, gjeneralmajor Eyal Zamir, thuhet se kanë koordinuar operacionin me kryeministrin Benjamin Netanyahu përpara ndërmarrjes së sulmit.

“Siç e kemi paralajmëruar regjimin terrorist të Houthi-ve në Jemen: Pas plagës së errësirës, vjen plaga e të parëlindurve”, deklaroi ministri Katz, duke iu referuar një pasazhi biblik dhe duke sugjeruar synimin e drejtpërdrejtë ndaj udhëheqjes politike të Houthi-ve.

Vetëm një ditë më parë, rebelët Houthi morën përsipër një tjetër sulm me raketa ndaj Izraelit, ndërsa forcat izraelite njoftuan se kishin kapur dhe neutralizuar një raketë të lëshuar nga Jemeni.

Situata në rajon mbetet shumë e tensionuar, ndërkohë që përplasjet mes Izraelit dhe rebelëve të mbështetur nga Irani po intensifikohen.