Paralajmërimi i gjeneralit francez: Evropa rrezikon të bëhet pre e grabitqarëve në një botë gjithnjë e më të dhunshme

28 Gusht 2025, 21:39 / BOTA ALFA PRESS

Paralajmërimi i gjeneralit francez: Evropa rrezikon të bëhet pre

Evropa po dështon të pranojë rolin që po luan dhuna në formësimin e politikës globale dhe duhet të forcojë përpjekjet për të imponuar fuqinë e saj të përbashkët si një forcë e vërtetë, ka paralajmëruar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Franceze, gjenerali Thierry Burkhard.

“Një Evropë e dobësuar mund të gjendet nesër në pozitën e një gjahu të ndjekur, pas dy shekujsh ku Perëndimi kishte vendosur drejtimin,” deklaroi ai me tone të forta në një intervistë për Politico dhe gazetën franceze Libération.

“Çështja nuk është vetëm te forcat e armatosura, kemi të bëjmë me faktin që sot dominohet nga dinamika e forcës së ashpër,” shtoi ai.

Gjenerali Burkhard pritet të largohet nga posti në fund të muajit gusht dhe do të zëvendësohet nga gjenerali i Forcës Ajrore, Fabien Mandon. Ai ka qenë në krye të forcave franceze që nga viti 2021.

Në paralajmërimin e tij, ai thekson se vendet e fragmentuara të Evropës duhet të lëvizin drejt një bashkëpunimi më të ngushtë si fuqi strategjike, për të përballuar “sferat e ndikimit” që po formohen nga Kina, Rusia dhe SHBA-të.

“Nga njëra anë, vendet evropiane nuk kanë qenë kurrë më të fuqishme. Por nga ana tjetër, ekziston një lloj mohimi nga qeveritë dhe popujt përballë nivelit të dhunës që mbizotëron sot në botë,” tha ai.

Vlerësimi realist, por i ashpër i gjeneralit francez pasqyron numrin në rritje të paralajmërimeve lidhur me dobësinë e Evropës, shkruan Politico.

Vetëm javën e kaluar, ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, theksoi se BE-ja duhet të ndalojë së shtiruri se mund të ushtrojë ndikim global vetëm si fuqi ekonomike dhe treg konsumi. Ai insistoi se Bashkimi Evropian “u zgjua në mënyrë shumë të dhunshme” nga Donald Trump dhe se tani duhet të mendojë shumë më strategjikisht për investimet në siguri dhe mbrojtje.