Qeveria e re gjermane kërkon shtrëngimin e kontrolleve kufitare

7 Maj 2025, 20:53 / BOTA ALFA PRESS

Qeveria e re gjermane kërkon shtrëngimin e kontrolleve kufitare

Në një hap drastik për të forcuar sigurinë kufitare dhe për të përballuar fluksin e migracionit të paligjshëm, ministri i ri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrind (CSU), ka dhënë një urdhër të qartë, çdo migrant që përpiqet të hyjë ilegalisht në kufijtë tokësorë të Gjermanisë do të refuzohet menjëherë.

Masat e marra përfshijnë rritjen e numrit të oficerëve të policisë kufitare nga 11,000 në 14,000, zgjerimin e pikave të kontrollit (nga 50 në një numër më të madh që ende po planifikohet), si dhe vendosjen e njësive të kontrollit të lëvizshme përgjatë kufirit prej rreth 4,000 kilometrash.

Kjo është një nga lëvizjet më të forta të ndërmarra në dekadën e fundit në lidhje me menaxhimin e kufirit në Gjermani.

Në ditën e tij të parë në detyrë, Dobrind ka dhënë një urdhër verbal, që autorizon forcat e policisë të ndalojnë dhe të refuzojnë hyrjen e menjëhershme për çdo person që tenton të hyjë pa dokumente të vlefshme apo jashtë procedurave zyrtare të migracionit.

Po ashtu, është në diskutim edhe kalimi në turne 12-orëshe për policinë kufitare, për të përballuar fluksin e shtuar të kontrolleve.

Masat e reja nuk kanë kaluar pa reagime. Ish-ministrja e Brendshme, Nancy Feser, e kishte konsideruar një politikë të tillë ligjërisht të diskutueshme, duke ngritur shqetësime për përputhshmërinë e saj me ligjin evropian dhe të drejtën ndërkombëtare për azil.

Megjithatë, Jens Spahn, kreu i grupit parlamentar CDU/CSU, deklaroi se zbatimi i këtij vendimi nuk do të ndikohet nga qëndrimet e vendeve fqinje: “Ne nuk varemi nga pëlqimi i vendeve të tjera.”

Qeveria austriake ka reaguar menjëherë duke paralajmëruar se nuk do të pranojë masa që bien në kundërshtim me rregullat e BE-së. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme në Vjenë tha:

Ne supozojmë se Gjermania do të respektojë ligjin evropian. Masat që devijojnë nuk do të pranohen.” theksoi.

Ndërkohë, reagimi nga Republika Çeke ka qenë më i matur. Autoritetet çeke kanë vënë në dukje bashkëpunimin e mirë me Gjermaninë dhe shpresojnë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe koordinimit të ndërsjellë.

Masat e Dobrind vijnë në një kohë kur debati mbi politikat e migracionit dhe sigurisë kufitare po dominojnë skenën politike në Europë.

Me shtimin e presionit ndaj vendeve anëtare të BE-së për të ruajtur kufijtë e jashtëm dhe të brendshëm, Gjermania po ndërmerr një qasje më të rreptë që mund të shkaktojë tensione, por edhe të rishkruajë praktikën e kontrollit kufitar në Evropë.

 

Po ndodh...