
Reuters zbardh tre kushtet e Putinit për Ukrainën: Dorëzo Donbasin, Jo në NATO, nëse s'ka paqe do të ketë më shumë luftë


Presidenti rus Vladimir Putin i ka kërkuar Ukrainës të dorëzojë të gjithë rajonin e Donbasit, të heqë dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO, të mbajë status neutral dhe të mos lejojë trupa perëndimore në territorin e saj. Lajmi raportohet nga Reuters, duke cituar tre burime të afërta pranë Kremlinit.
Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump u takuan të premten në Alaskë, në samitin e parë Rusi–SHBA pas më shumë se katër vitesh. Takimi zgjati tre orë me dyer të mbyllura dhe ishte i fokusuar pothuajse tërësisht në diskutimin për gjetjen e një kompromisi të mundshëm për Ukrainën, bëjnë të ditur burimet të cilat kërkuan të jenë anonimë. Pas bisedimeve, Putin deklaroi përkrah Trump se samiti “mund të hapë rrugën drejt paqes”, por pa dhënë detaje konkrete.
Burimet ruse thanë se Putin ka zbutur kërkesat krahasuar me qershorin 2024, kur kërkonte dorëzimin e katër rajoneve të pushtuara pjesërisht nga Rusia – Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.
Në propozimin e ri, ai ngul këmbë vetëm për largimin e forcave ukrainase nga pjesët e Donbasit që kontrollon ende Kievi, ndërsa linjat aktuale të frontit në jug do të mbeteshin të pandryshuara. Në këmbim, Rusia do të tërhiqej nga disa zona më të vogla të kontrolluara në rajonet e Kharkivit, Sumit dhe Dnipropetrovskut.
Rusia kontrollon aktualisht rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë 88% të Donbasit dhe mbi 70% të Khersonit e Zaporizhzhias.
Kievi i refuzon duke i konsideruar si një dorëzim.
Putin po qëndron gjithashtu tek kërkesat e tij të mëparshme që Ukraina të heqë dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe të marrë një angazhim ligjërisht të detyrueshëm nga aleanca ushtarake e udhëhequr nga SHBA që të mos zgjerohen më në lindje. Ai kërkon gjithashtu kufizime për ushtrinë ukrainase dhe një marrëveshje që asnjë trupë perëndimor të mos vendoset në terren në Ukrainë si pjesë e një force paqeruajtëse, sipas burimeve.
Megjithatë, palët mbeten larg një marrëveshjeje, më shumë se tre vjet pas urdhrit të Putinit për të dërguar mijëra trupa ruse në Ukrainë, që pasoi aneksimin e Gadishullit të Krimesë në 2014 dhe luftimet e vijueshme në lindje mes separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase.
Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk ka komentuar menjëherë mbi këto propozime.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka hedhur përsëri poshtë idenë e tërheqjes nga toka e njohur ndërkombëtarisht si ukrainase si pjesë e një marrëveshjeje, duke theksuar se rajoni industrial i Donbasit funksionon si një “fortesë” që pengon avancimin më të thellë rus brenda Ukrainës.
“Nëse po flasim thjesht për tërheqje nga lindja, nuk mund ta bëjmë atë,” u tha ai gazetarëve, sipas deklaratave të publikuara nga Kievi të enjten (21 gusht). “Bëhet fjalë për mbijetesën e vendit tonë, duke përfshirë linjat më të forta të mbrojtjes.”
Anëtarësimi në NATO, ndërkohë, është një objektiv strategjik i sanksionuar në kushtetutën e vendit dhe që Kievi e sheh si garancinë më të besueshme të sigurisë së tij. Zelensky theksoi se nuk i takon Rusisë të vendosë për anëtarësimin në këtë aleancë.
Shtëpia e Bardhë dhe NATO nuk kanë dhënë koment mbi propozimet ruse.
Shkencëtari politik Samuel Charap, kryetar i Politikave për Rusi dhe Euroazi në RAND, një institut amerikan për politika globale, tha se çdo kërkesë për Ukrainën që të tërhiqet nga Donbasi mbetet e papranueshme për Kievin, si politikisht ashtu edhe strategjikisht.
“Të jesh i hapur për ‘paqen’ me kushte që janë kategorikisht të papranueshme për palën tjetër mund të jetë më shumë një shfaqje për Trump sesa një sinjal i gatishmërisë reale për kompromis,” shtoi ai. “E vetmja mënyrë për ta testuar këtë është të nisë një proces serioz në nivel pune për të diskutuar në detaje këto çështje.”
Trump: “Putin dëshiron ta mbyllë luftën”
Sipas vlerësimeve amerikane dhe hartave të hapura, forcat ruse aktualisht kontrollojnë rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, një sipërfaqe të ngjashme me shtetin amerikan të Ohajos. Tre burime pranë Kremlinit thanë se samiti në Anchorage të Alaskës ka ofruar mundësinë më të mirë për paqe që nga fillimi i luftës, pasi janë diskutuar në detaje kushtet e Rusisë dhe Putin ka treguar gatishmëri për kompromis.
“Putin është gati për paqe – për kompromis. Ky është mesazhi që iu përcoll Trumpit,” tha një nga burimet. Megjithatë, ata paralajmëruan se nuk është e qartë nëse Ukraina do të pranojë të dorëzojë pjesën e mbetur të Donbasit, dhe nëse nuk do ta bëjë, lufta do të vazhdojë. Po ashtu, mbetet e pasigurt nëse Shtetet e Bashkuara do të njohin ndonjë territor ukrainas të kontrolluar nga Rusia.
Një burim i katërt shtoi se, edhe pse çështjet ekonomike janë dytësore për Putinin, ai e kupton dobësinë ekonomike të Rusisë dhe përpjekjet që do të nevojiten për të avancuar më tej në Ukrainë.
Trump ka deklaruar se dëshiron t’i japë fund “gjakderdhjes” së luftës dhe të mbahet mend si “president paqebërës”. Ai tha të hënën se kishte filluar përgatitjet për një takim mes udhëheqësve rus dhe ukrainas, i ndjekur më pas nga një samit trepalësh me presidentin amerikan.
“Besoj se Vladimir Putin dëshiron ta mbyllë këtë luftë,” tha Trump pranë Zelenskyt në Zyrën Ovale. “Jam i sigurt se do ta zgjidhim.”
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi të enjten se Putin është i gatshëm të takohet me Zelenskyn, por të gjitha çështjet duhet të trajtohen paraprakisht, dhe ekziston një pyetje mbi autoritetin e Zelenskyt për të nënshkruar një marrëveshje paqeje.
Putin gjithmonë ka hedhur dyshime mbi legjitimitetin e Zelenskyt, duke theksuar se mandati i tij kishte përfunduar në maj 2024, por lufta ka shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale. Kievi e konsideron ende Zelenskyn president legjitim.
Liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë kanë shprehur skepticizëm mbi dëshirën e Putinit për t’i dhënë fund luftës.
Garancitë e sigurisë për Ukrainën
I dërguari i posaçëm i Trump, Steve Witkoff, luajti një rol kyç në hapjen e rrugës për samitin dhe nismën e fundit për paqe, sipas dy burimeve ruse.
Witkoff u takua me Putinin në Kremlin më 6 gusht, së bashku me ndihmësin e Kremlinit, Yuri Ushakov. Në këtë takim, Putin i shprehu qartë Witkoff-it se ishte i gatshëm për kompromis dhe përcaktoi kufijtë e asaj që mund të pranojë për paqen, thanë dy burimet ruse.
Nëse Rusia dhe Ukraina arrijnë një marrëveshje, ekzistojnë disa opsione për një marrëveshje formale – përfshirë mundësinë e një marrëveshjeje trepalëshe Rusi–Ukrainë–SHBA, e njohur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, sipas një burimi.
Një tjetër opsion është rikthimi te marrëveshjet e dështura të Stambollit të vitit 2022, ku Rusia dhe Ukraina diskutuan për neutralitetin e përhershëm të Ukrainës në këmbim të garancive të sigurisë nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ka dy zgjedhje: luftë ose paqe, dhe nëse nuk ka paqe, atëherë do të ketë më shumë luftë,” tha një nga burimet./Reuters/

Samiti për Ukrainën që injoroi pyetjet e vështira
ide

Zoti Basha, Demokratët, Kombi dhe ‘Partia Demokratike e Shqipërisë’!


Zjarrvënësi i Demokracisë, tradhtia që dogji të djathtën
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128