Tragjike në Greqi, 4-vjeçarja shqiptare humb jetën në pishinë, arrestohet mamaja e të miturës

23 Gusht 2025, 09:01 / AKTUALITET ALFA PRESS
Tragjike në Greqi, 4-vjeçarja shqiptare humb jetën në

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë pasdite në ishullin e Paxosit, ku një vajzë 4-vjeçare me origjinë shqiptare është gjetur e vdekur në pishinën e një vile turistike.

Sipas informacioneve paraprake, fëmija i vetëm i një familjeje shqiptare, e cila jeton dhe punon prej vitesh në ishull, kishte qenë duke luajtur në kopshtin e shtëpisë rreth orës 15:00. Në një moment, vajza i shpëtoi vëmendjes së nënës dhe humbi pa lënë gjurmë. Nëna, së bashku me fqinjët, nisi menjëherë kërkimet, por pa sukses.

Pak minuta më vonë, trupi i vajzës u gjet në pishinën e një vile rreth 150 metra larg shtëpisë së tyre, nga kuzhinieri i vilës, i cili kishte shkuar atje për të nisur punën. Në atë moment, turistët që qëndronin në vilë ishin larguar.

Vajza u dërgua menjëherë në Qendrën Shëndetësore të ishullit, ku mjekët tentuan ta rikthenin në jetë, por fatkeqësisht pa rezultat.

Policia u njoftua menjëherë për ngjarjen, ndërsa nëna e fëmijës po mbahet në Stacionin e Policisë së Paxosit dhe pritet të dalë para prokurorit ditën e nesërme.

Hetimet janë në vazhdim për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj tragjedie që ka tronditur komunitetin lokal.

Nëna po mbahet në Stacionin e Policisë së Paxos dhe pritet të dalë para prokurorit nesër.

Po ndodh...