
Samiti për Ukrainën që injoroi pyetjet e vështira

Çfarë takimi i bukur që pati Volodymyr Zelensky dhe aleatët e tij europianë me Donald Trump. Presidenti i SHBA komplimentoi Zelensky-n për veshjen, Kancelarin gjerman Merz për “nxirjen e madhe”, dhe tha se Presidenti finlandez Alexander Stubb “dukej më mirë se kurrë!”. Të gjithë – sidomos Zelensky – qeshën me të madhe me të gjitha shakatë e Trump-it. Dhe të tetë liderët e pranishëm u përpoqën me të gjitha mënyrat të dukeshin sikur ishin në një mendje për arritjen e paqes në Ukrainë.
Por kishte një gjë të vogël që mungonte në këtë festival mirësjelljeje dhe komplimentesh në Shtëpinë e Bardhë: një diskutim real mbi detajet e një marrëveshjeje që Vladimir Putin do të ishte i gatshëm ta pranonte.
Një nga “elefantët në dhomë” ishte pyetja nëse Zelensky do të ishte i gatshëm të lëshonte më shumë territor në Donbas si çmim për paqen. Një tjetër ishte nëse ai do të pranonte të njihte zyrtarisht një pjesë ose të gjitha territoret e pushtuara nga Putini që prej vitit 2014 si pjesë të Rusisë. Me pak fjalë, çdo pyetje ndaj të cilës Zelensky do të përgjigjej “kurrsesi!” mbeti me kujdes e pa-trajtuar.
Trump dukej se kishte marrë një faqe nga manuali i diplomatit të madh Bing Crosby – “duhet të theksosh pozitive, të eleminosh negative dhe të mos ngatërrohesh me gjërat në mes”. Gjë që, siç ranë dakord të gjithë, ishte më mirë sesa qëndrimi i Trump gjatë vizitës së fundit të Zelensky në Zyrën Ovale në shkurt, ku presidenti ukrainas u qortua, iu fol sipër, u ofendua e më pas u shpërfill. Në këtë kuptim marrëdhëniet ishin përmirësuar dukshëm. Është e vërtetë që, ndryshe nga Putini, Zelensky nuk mori as tapetin e kuq, as ndonjë udhëtim në limuzinën presidenciale. Por të paktën mori një mikpritje të ngrohtë dhe fjalë të menjëhershme lavdërimi për faktin se këtë herë kishte veshur kostum.
Kushdo që shpresonte që takimi i së hënës do të sillte një përparim të madh, mbeti i zhgënjyer. Trump e bëri të qartë disa herë se ishte ai dhe Putini ata që vendosnin kryesisht për procesin e paqes, ndërsa liderët europianë ishin thjesht nën-shërbyes. Ai u tha vizitorëve europianë se kishte folur me Putinin pak para takimit dhe se do ta telefononte përsëri menjëherë pas tij. Trump ndjehej në elementin e vet, duke vepruar si kryetar bordi që konsultohej me drejtorët përpara negociatave të nivelit të lartë me një kompani rivale.
Megjithatë, pati një sinjal të qartë mbi çështjen që do të jetë vendimtare në fund të luftës – garancitë e sigurisë për Ukrainën nga aleatët e saj perëndimorë. Putini, në deklaratat e tij pas takimit me Trump në Alaskë, tha se ishte “natyrshëm i gatshëm të punonte” mbi garanci sigurie për Ukrainën. Trump më pas u tha kolegëve europianë se Putini kishte “rënë dakord” për këto garanci – dhe rrjedhjet e mëvonshme nga Shtëpia e Bardhë sugjeronin se edhe SHBA do të ishte e gatshme të nënshkruante.
Në Shtëpinë e Bardhë të hënën, Giorgia Meloni udhëhoqi debatin për të përcaktuar se si mund të dukeshin këto garanci, duke sugjeruar që ato të pasqyronin nenin 5 të NATO-s që kërkon (por, rëndësishëm, nuk detyron) anëtarët ta konsiderojnë një sulm ndaj njërit si sulm ndaj të gjithëve. Sir Keir Starmer shtoi se “nuk po flasim vetëm për sigurinë e Ukrainës, por për sigurinë e Europës dhe Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu.”
Në paraqitje televizive, si Sekretari i Shtetit Marco Rubio ashtu edhe i dërguari i posaçëm i Trump për Rusinë, Steve Witkoff, e theksuan idenë e garancive të sigurisë për Ukrainën si një përparim madhor. Në të vërtetë, këto propozime nuk janë të reja. Në Stamboll në prill 2022, disa projekte-marrëveshjesh të përgatitura gjatë bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë përfshinin klauzola të detajuara mbi natyrën e mundshme të garancive perëndimore të sigurisë jashtë kornizës së NATO-s. Por ato bisedime paqeje u braktisën në favor të izolimit të Rusisë dhe inkurajimit të Ukrainës që të mundte forcat e Moskës në fushë.
Pikërisht në Stamboll, rusët – në mënyrë absurde – kërkuan që vetë të ishin garantues të sigurisë së ardhshme të Ukrainës, ashtu si kishin qenë në Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, dhe të kishin të drejtë vetoje mbi çdo ndërhyrje ndërkombëtare. Kjo, natyrisht, do ta bënte qesharak gjithë idenë e garancive të sigurisë. Mbetet për t’u parë nëse Putini do të rikthejë këtë kërkesë të papranueshme, por më e mundshme është që Kremlini të sugjerojë që Kina të jetë një nga garantuesit e ardhshëm të sigurisë së Ukrainës – gjë që do të hapte një set krejt të ri sfidash për aleatët e saj.
Megjithatë, të gjitha palët mund të ndjehen të kënaqura me konferencën e Uashingtonit. Nuk pati përparim, por as ndonjë katastrofë. Më e rëndësishmja, Trump nuk i qortoi europianët për “ushqyerjen falas” me buxhetin ushtarak të SHBA, për mos-kontributin në armatosjen e Ukrainës, apo për mos-ndalimin e luftës kur kanë pasur mundësi – të gjitha pika të zakonshme të diskursit MAGA. Dhe gjithashtu, ai nuk kundërshtoi asnjë argument europian, edhe kur Macron dhe Merz folën për rikthimin tek ideja e një armëpushimi përpara bisedimeve përfundimtare të paqes. Kjo pikë ishte hequr tashmë nga vetë Trump në Anchorage kur pranoi afatin e ri të Putinit, por ai ishte mjaftueshëm taktik për të mos ua kujtuar mysafirëve.
Nga ana e tyre, europianët nuk e akuzuan Trump se po braktiste Ukrainën duke ndërprerë armët dhe financimet, as nuk e akuzuan se po shiste interesat e Kievit. Nuk e kritikuan as për faktin se i dha tapet të kuq një krimineli lufte të akuzuar, apo pse Putini nuk u arrestua në mbërritjen e tij në Anchorage. Me pak fjalë, të gjithë në dhomë – përfshirë vetë Trump – ishin në sjelljen më të mirë.
A është sjellja e mirë e barabartë me unitetin real perëndimor? Po, për aq kohë sa askush nuk ngre pyetjet e vështira si: lëshimi i territoreve, të drejtat gjuhësore për rusishten, kthimi i fëmijëve të rrëmbyer, pagesa e reparacioneve, heqja e sanksioneve ndaj Rusisë, lejimi i partive politike dhe televizioneve pro-ruse, heqja e sanksioneve të Ukrainës mbi 5,000 kundërshtarë politikë të Zelensky-t, apo mbajtja e zgjedhjeve të vonuara prej kohësh – për të përmendur vetëm disa nga çështjet e ndërlikuara që qëndrojnë në rrugën nga lufta drejt paqes.
Hapi tjetër i Trump, thotë ai, do të jetë organizimi i një takimi trepalësh mes tij, Putinit dhe Zelensky-t. Është një sfidë e madhe – jo më pak për faktin se Putini e ka bërë të qartë se nuk e konsideron Zelensky-n një lider legjitim, ndërsa ky i fundit ka miratuar një ligj në vitin 2022 që ndalon negociatat me regjimin e Putinit. Dhe nëse një takim i tillë ndodh, mund të jemi të sigurt që të gjitha pyetjet më të ndërlikuara do të shtrohen që në fillim – dhe askush nuk do të jetë më në “sjelljen më të mirë”./Përktheu Alfapress.al

Samiti për Ukrainën që injoroi pyetjet e vështira
ide

Zoti Basha, Demokratët, Kombi dhe ‘Partia Demokratike e Shqipërisë’!


Zjarrvënësi i Demokracisë, tradhtia që dogji të djathtën
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128