Trump paralajmëron: Mund të dërgojmë ushtrinë në Chicago dhe New York

22 Gusht 2025, 22:47 / BOTA ALFA PRESS

Trump paralajmëron: Mund të dërgojmë ushtrinë në

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar hapur kryebashkiaken e Uashingtonit, Muriel Bowser, duke i thënë se “duhet ta kalojë këtë”, përndryshe nuk do të mbajë gjatë postin.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Zyrën Ovale, Trump deklaroi gjithashtu se planifikon të dërgojë ushtrinë në qytete të tjera të kontrolluara nga demokratët, përfshirë Çikagon dhe Nju Jorkun.

“Ishte e rrezikshme në Uashington,” tha ai. “Ishte e tmerrshme dhe kryebashkiakja Bowser më mirë të marrë veten, përndryshe nuk do të jetë më gjatë kryetare, sepse ne kemi marrë përsipër bashkë me qeverinë federale të menaxhojmë qytetin ashtu siç duhet.”

Javën e kaluar, Trump pretendoi se kriminaliteti në kryeqytetin federal kishte dalë jashtë kontrollit dhe urdhëroi dislokimin e Gardës Kombëtare dhe agjentëve federalë në rrugët e qytetit.

Sot, ai paralajmëroi se do të zgjerojë operacionin kundër krimit edhe në qytete të tjera.

“Çikago është një rrëmujë. Do të jetë ndoshta qyteti i radhës që do ta bëjmë të sigurt, pastaj do të ndihmojmë Nju Jorkun,” tha Trump. “Kur të jemi gati, do të fillojmë me Çikagon. Ndoshta do të pastrojmë edhe San Franciskon,” shtoi ai.

Ndërkohë, një zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se pjesëtarët e Gardës Kombëtare që janë dislokuar në Uashington do të pajisen “së shpejti” me armë zjarri.

“Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, pjesëtarët e Gardës Kombëtare, në misionin e tyre për të ulur kriminalitetin në kryeqytetin tonë, së shpejti do të jenë në detyrë të armatosur,” tha zyrtari, i cili kërkoi të mbetet anonim.

Situata në disa qytete të mëdha amerikane ka tensionuar edhe më tej përplasjet midis administratës Trump dhe autoriteteve lokale të drejtuara nga demokratët, në prag të fushatës zgjedhore.

 

Po ndodh...