Shefi i Mossad viziton Uashingtonin, kërkon ndihmën e SHBA për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza

18 Korrik 2025, 20:00 / BOTA ALFA PRESS

 

Shefi i Mossad viziton Uashingtonin, kërkon ndihmën e SHBA për

Shefi i shërbimit izraelit të inteligjencës Mossad, David Barnea, vizitoi këtë javë Uashingtonin për të kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara në bindjen e disa vendeve që të pranojnë qindra mijëra palestinezë nga Gaza, raportoi Axios, duke cituar dy burime të njohura me zhvillimet.

Gjatë një takimi që pati në fillim të javës me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, Barnea ka përmendur se Etiopia, Indonezia dhe Libia kanë shprehur gatishmërinë për të pranuar një numër të madh palestinezësh nga Gaza. Ai i propozoi SHBA-së që të ofrojë stimuj ekonomikë apo diplomatikë për këto vende, në mënyrë që ato të pranojnë zhvendosjen dhe të ndihmojnë Izraelin në këtë drejtim.

Megjithatë, sipas një burimi të Axios, Witkoff nuk është zotuar për asnjë veprim konkret dhe mbetet e paqartë nëse administrata amerikane do të angazhohet aktivisht në këtë iniciativë.

Qeveria e Izraelit ka si synim të zhvendosë një pjesë të madhe të popullsisë së Gazës, por kjo ide është jashtëzakonisht e diskutueshme dhe e kritikuar gjerësisht. Ndërsa zyrtarët izraelitë e paraqesin si një “zhvendosje vullnetare”, juristë të specializuar amerikanë dhe izraelitë e kanë quajtur krim lufte një veprim të tillë.

Kujtojmë se në muajin shkurt, presidenti Donald Trump kishte propozuar zhvendosjen e mbi dy milionë palestinezëve nga Gaza, si pjesë e një plani për rindërtimin e territorit. Por plani dështoi për shkak të reagimeve të forta nga vendet arabe.