Plas skandali: Interceptohet sondazh kundër SPAK-ut!

21 Prill 2025, 13:07 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Plas skandali: Interceptohet sondazh kundër SPAK-ut!

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, ka shpërthyer një skandal i ri që tregon përpjekjet e koordinuara të korrupsionit politik dhe krimit të organizuar, për të minuar besimin e qytetarëve ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).

Shumë qytetarë kanë raportuar se kanë marrë telefonata me pyetje të natyrës denigruese për punën e SPAK-ut. Këto pyetje, me tone negative, janë përqëndruar vetëm te subjektet dhe drejtuesit politikë që janë në orbitën e SPAK-ut, për shkak të aferave të tyre, ndërkohë që nuk është bërë asnjë pyetje lidhur me forcat politike apo figurat publike që mbështesin SPAK-un dhe luftën kundër korrupsionit.
Ky manipulim i opinionit publik ngre pikëpyetje serioze: Kush e financon këtë sondazh? Kujt i intereson denigrimi i një institucioni si SPAK?

Përgjigjja duket e qartë: Korrupsioni i lartë politik dhe krimi i organizuar, të cilët ndihen të kërcënuar nga hetimet dhe dosjet në proces, janë ata që po përpiqen të krijojnë një narrativë kundër drejtësisë.

Në këtë sfond, dukshëm zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht një garë politike, por një referendum mes drejtësisë dhe pandëshkueshmërisë.
Ose me të korruptuarit dhe formacionet politike që duan të shkatërrojnë SPAK-un,
ose me drejtësinë, transparencën dhe ata që e mbështesin luftën kundër korrupsionit.
Në këtë kontekst, është jetike që qytetarët të jenë të vetëdijshëm për përpjekjet për manipulim dhe të mbështesin institucionet, të cilat punojnë për një Shqipëri më të ndershme dhe forcat politike me një platformë të qartë pro SPAK. Lufta kundër korrupsionit kërkon përfshirjen dhe përkrahjen e të gjithëve, dhe SPAK ka nevojë për besimin e qytetarëve për ta çuar deri në fund këtë betejë./Alfapress.al

Po ndodh...

ide