Tre vite sulme ndaj Bashës si “njeriu i amerikanëve”, tani Berisha përdor PD-në si bankomat për t’u parë në sy nga SHBA-të

27 Prill 2025, 14:32 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Tre vite sulme ndaj Bashës si “njeriu i amerikanëve”, tani
Prej tre vitesh, retorika e Foltores dhe mbështetësve të saj ndaj Lulzim Bashës ka qenë brutale dhe e pandalur: e kanë akuzuar si “njeriun e amerikanëve”, si të shitur te Uashingtoni, si një politikan me lidhje të afërta me diplomatët amerikanë dhe që, sipas tyre, kishte devijuar nga “vullneti i sovranit”.

Madje, kanë shkuar edhe më tej, duke deklaruar publikisht se “Amerika nuk na sjell në pushtet” dhe se “s’na duhet Amerika”. Me këtë frymë anti-perëndimore, Berisha e çoi Partinë Demokratike drejt përçarjes dhe izolimit më të thellë në historinë e saj.

Ironikisht sot, pas gjithë kësaj lufte, i njëjti grup që përdori flamurin e antiamerikanizmit për të përçarë opozitën, po përpiqet me çdo kusht të rikthehet në vëmendjen e Amerikës. Dhe jo thjesht me fjalë: paguajnë 6 milionë euro për lobime në Uashington, vetëm që të kenë mundësinë të shihen në sy nga përfaqësuesit e SHBA-ve.

Kjo është një kontradiktë e frikshme, që tregon qartë krizën e thellë politike dhe morale ku është futur Partia Demokratike nën drejtimin aktual të Sali Berishës.

Nëse lidhjet e Bashës me partnerët ndërkombëtarë ishin natyrore, të ndërtuara mbi parime dhe vlera perëndimore, sot pretendohet të blihet vëmendja e SHBA-ve me para.

Për çfarë? Jo për të ardhmen e PD-së, por për të shpëtuar Berishën, i cili në fillim deklaronte se nuk do ta përdorte PD-në për hallet e tij personale, ndërsa sot e përdor si bankomat për problemet e veta me SHBA-në dhe drejtësinë.

Marrëveshja e shtrenjtë e lobimit po u shitet demokratëve dhe shqiptarëve si një “shpëtim” për opozitën.

Kjo është një tezë e rreme që përpiqet të maskojë hallin personal të Berishës. Sepse pa luftën e tij kundër Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës – që nisi pas shpalljes “non grata” – PD dhe opozita sot jo vetëm që do të ishin pretendente për pushtetin, por do të ishin në pushtet.

Basha ka gëzuar dhe gëzon respektin e SHBA-ve pa pasur nevojë të lëvrojë shuma marramendëse parash, si ato që sot shpenzon Berisha. Nëse Berisha do të kishte bërë një hap pas në shtator 2021, me mbështetjen e qartë të SHBA-së dhe me korrupsionin në çdo degë të qeverisë Rama, Shqipëria do të kishte një histori tjetër sot.

Por verbëria e interesit personal e ktheu Berishën në vegël të Edi Ramës, që përdori hallin e tij për të goditur Bashën si alternativën reale ndaj pushtetit të tij.

Sot Berisha po përpiqet të blejë me para atë që PD e kishte falas: respektin dhe mbështetjen ndërkombëtare. Por, edhe pse shuma është marramendëse, ajo nuk mund të blejë kohën e humbur dhe nuk mund të fshijë dëmin e bërë shqiptarëve dhe demokratëve që u përdorën si mish për top në një betejë personale./Alfapress.al