Gen Z dhe Alpha pazare “të shëndetshme”, si po ndryshon qasja e brezave për blerjet në Shqipëri

13 Gusht 2025, 16:26 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Gen Z dhe Alpha pazare “të shëndetshme”, si po ndryshon

Mënyra sesi brezat përzgjedhin produktet e tyre të përditshme në supermarket ndryshon nga njëri-tjetri dhe kësaj tendence nuk i shpëton as Shqipëria. Rrjetet e supermarketeve shprehen se tendenca e Gen Z që përfshin të lindurit në vitet 1997-2012 apo Gen Alpha që përfshin të lindurit mes 2010-2024 apo 2025 do të orientojë një qasje krejt të re edhe në produktet që serviren në rafte.

Kuptohet që për brezin më të ri që është ai Alpha imponimi i pazarit për preferencat specifike iu bëhet prindërve. Tendenca gjithsesi është e qartë brezat më të rinj ndryshe nga Millenials (fillim i viteve 1980 deri mesi i 1990-s) dhe Gen X (1965-1980) janë drejt njohjes më të mirë të produkteve sa i takon përmbajtjes duke synuar ato që janë më të shëndetshme.

“Brezi i ri është shumë më kërkues, shumë më i vetëdijshëm dhe shumë më dixhital. Gen Z dhe Alpha kërkojnë: Produkte të shëndetshme dhe ekologjike;  Origjinë transparente të produkteve; Përvoja të personalizuara dhe ndërvepruese;  Qasje të lehtë përmes rrjeteve sociale” thanë përfaqësues të Big Market.

Ndërkohë administratori i CONAD në Shqipëri Alessandro Rosa shprehet se gjenerata Alfa që përfshin fëmijët deri në 15 vjeç ka pjesë te saj të rinj që tashmë kanë personalitetin e tyre dhe që duan dhe kanë ndikim në vendimet konsumatore të familjes në të gjitha nivelet, jo vetëm në lidhje me konsumin e ushqimit, por edhe në ato më të rëndësishmet si zgjedhja e makinës apo veshjes.

“Ky është një brez i karakterizuar nga ultra-dixhitalizimi, i mësuar që në fëmijëri me përdorimin e telefonave inteligjentë dhe tabletëve dhe me përdorimin e rrjeteve sociale si YouTube, TikTok, Snapchat etj. Prindërit e tyre përgjithësisht janë të gjeneratës së ashtuquajtur millennials, pra nga mosha 30 deri në 45 vjeç, u japin autonomi dhe i përfshijnë në vendimet e përditshme.

Ata janë të interesuar për modën dhe kozmetikën. Për sa i përket ushqimit ata mund të konsiderohen “Foodies” të vegjël, sepse prindërit i kanë mësuar të provojnë ushqime të ndryshme duke filluar nga produktet etnike, kuzhinë kineze, japoneze, indiane, por edhe italiane, nga pica te makaronat. Ata janë më të familjarizuar me dieta vegjetariane, të ndikuar nga stili i jetesës së prindërve.

Falë autonomisë që u është dhënë dhe si efekt i shtysës së thënë nga vëmendja e prindërve, fëmijët priren t’i kushtojnë më shumë vëmendje shëndetit dhe mirëqenies së tyre dhe janë shumë selektivë në zgjedhjen e produkteve për t’u konsumuar dhe shpesh ua rekomandojnë prindërve, pasi kanë mësuar të vlerësojnë cilësinë edhe nëpërmjet produkteve të shtrenjta” vlerëson ai.

Ndërkohë, sipas z. Rosa gjenerata Z përfshin të rinj nga adoleshenca deri në të 30-at janë kryesisht studentë ose në fillim të jetës së punës, dhe zakonisht pa të ardhura të qëndrueshme.

“Zoomers kanë lindur gjithashtu dixhitalë, kanë një mendje shumë të hapur dhe i bëjnë blerjet e tyre si offline, ashtu edhe online. Ata nuk i pëlqejnë strukturat e mëdha të shitjes me pakicë dhe priren të preferojnë dyqane të mesme dhe të vogla. Ata gjithashtu përdorin blerjet online për shkak të informacionit më të detajuar dhe përfitimeve në çmim” shprehet ai.

Diferenca me gjeneratat paraardhëse është edhe qasja më e fokusuar dixhitale e këtyre brezave të fundit. Kjo ka kërkuar që edhe rrjetet e supermarkteve të orientohen drejt investimeve të kësaj natyre.

“Brezi i ri kërkon transparencë, komoditet, përvoja dixhitale dhe produkte të shëndetshme e njëkohësisht të vëmendshëm që produktet të kenë paketime ekologjike dhe të riciklueshme. Ne patjetër që për tu përgjigjur ketyre kërkesave po zgjerojmë asortimentin dhe ofertën për produktet bio, gluten free, sugar free, vegane dhe lokale, përmirësimin e kanaleve dixhitale, si edhe me komunikim më të drejtpërdrejtë në rrjete sociale. Gjithashtu për një shërbim akoma më të mirë dhe të shpejt tek kasat po zgjerojmë aplikimin e kasave të vetëshërbimit” tha Elona Hametaj, CEO e SPAR./ Monitor

Po ndodh...