Raporti/ Më shumë ankesa nga nëpunësit e administratës për institucionet ku punojnë

16 Maj 2025, 13:51 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Raporti/ Më shumë ankesa nga nëpunësit e administratës

Nëpunësit e administratës publike si në institucionet qendrore edhe në ato vendore apo të pavarura kanë paraqitur më shumë ankesa gjatë vitit që lamë pas.

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil raportoi se ishin të paktën 145 të tilla në total me rritje në raport me vitet paraardhëse dhe kjo deri diku i atribuohet edhe njohjes së hapësirave ligjore që kanë nëpunësit për tu ankuar.

Ankesat në 100 raste vinin nga nëpunësit dhe pjesa tjetër nga institucionet. Ndër 100 ankesat e nëpunësve, 48 për qind e rasteve vinin nga institucionet qendrore, 40 për qind nga ato vendore dhe 12 për qind nga ato të pavarura.

Në pjesën më te madhe të rasteve duket se shkak për ankesën janë bërë riorganizimet e institucioneve të cilët vijnë si efekt i ndryshimeve të organigramave dhe rishikimikt te pozicioneve.

“Vërehet se në numrin e përgjithshëm të rasteve të trajtuara që i përkasin administratës shtetërore, numrin më të lartë e zënë kërkesat e adresuara nga institucione të varësisë, në administratën shtetërore. Kjo lidhet me faktin se kjo kategori institucionesh kanë qenë në proces ndryshimi e riorganizimi të vazhdueshëm, si dhe kanë objekt më të kufizuar në veprimtarinë e tyre.

Këto shkaqe sjellin si pasojë një dinamikë më të madhe në veprimtarinë e nëpunësve duke ndikuar si në lëvizjen në pozicionet e punës, ashtu edhe në marrëdhënien me drejtuesit e tyre, të cilët janë në kontakt më të drejtpërdrejtë me ta, në lidhje me realizimin e detyrave të përditshme” thuhet në raportin e Komisionerit.

Po kështu një tjetër aspekt që gjykohet se ndikon në numrin e ankesave sipas dokumentit është mungesa e pozicioneve të dedikuara për menaxhimin e burimeve njerëzore në disa institucione.

“Për pasojë, administrimi i shërbimit civil kryhet shpesh nga specialistë, që kanë detyra të tjera sipas strukturës në zbatim, të cilëve u ngarkohet edhe detyra për menaxhimin e burimeve njerëzore.

Nga ana tjetër, njësitë e burimeve njerëzore në ministritë e linjës e kanë të vështirë të administrojnë shërbimin civil në këto institucione, në koherencë të plotë me momentin e kryerjes së veprimeve administrative që kanë të bëjnë me shërbimin civil” vëren raporti.

Komisioneri lidhur me ankesat ka bërë rekomandime për një pjesë të tyre, për të tjera pas hetimeve nuk kanë rezultuar shkelje ndërsa një pjesë tjetër i ka orientuar për zgjidhje në institucionet të tjera që zbatojnë kuadër tjetër ligjor lidhur me nëpunësin civil./ Monitor.al

Po ndodh...