Rriten urgjencat pediatrike, 250 raste në ditë. Dominojnë infeksionet virale

6 Gusht 2025, 16:21 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Rriten urgjencat pediatrike, 250 raste në ditë. Dominojnë

Mbi 250 fëmijë në 24 orë kërkojnë ndihmë pranë Urgjencës Pediatrike të QSUT-së, kryesisht me infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe shqetësime gastrointestinale.

Çdo ditë rreth 25 fëmijë shtrohen në spital për trajtim afatgjatë, ku 6–7 janë nga rrethet, duke ditur që kjo është edhe një urgjencë kombëtare.

Mjeku pediatër Albert Koja thotë se pavarësisht dominancës së infeksioneve virale, nuk rrinë pas as ato me natyrë bakteriale, si dhe helmimet.

Diagnozat më të shpeshta janë ato të stinës së verës, gastroenteritet, të shoqëruara me të vjella, diarre, ndonjëherë të dyja bashkë dhe me temperaturë, por predominojnë infeksionet virale. Ka edhe infeksione bakteriale nga salmonela, shigela, të cilat kërkojnë edhe një ndërhyrje me antibiotiko-terapi,” thotë Dr. Koja.

Këtë sezon, fëmijët kanë rënë pre edhe e pickimeve nga insektet apo kafshimeve nga gjarpri në pak raste.

Kemi pasur dy-tre raste nga pickimet nga gjarpri, por kanë qenë raste jo me komplikacione. Kanë qëndruar për disa ditë dhe janë larguar të shëruar,” tregon mjeku pediatër.

Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kërkojnë nga prindërit ndjekje të gjendjes së fëmijëve pranë qendrave në lagje apo në pikat bregdetare. Në rastet kur temperatura nuk dominohet nga trajtimet për mbi pesë ditë duhet t’i drejtohen spitalit.

Po ndodh...