“Idiotët e Dobishëm” pro SPAK, apo të Mençurit e Pavlerë si Andi Bushati?!

23 Korrik 2025, 17:45 / IDE ALFA PRESS

“Idiotët e Dobishëm” pro SPAK, apo të Mençurit

Andi Bushati, 2 netë më parë në emisionin “Të Paekspozuarit”, ngriti një sër argumentesh për të cilësuar SPAK-un si vegël të Edi Ramës. Pa dyshim, Bushati është ndër zërat më të artikuluar në opozitë, por mbetet për t’u parë nëse është një zë i dobishëm apo i dëmshëm për shoqërinë kur argumentet i trajton në mënyrë selektive.

Për çfarë e akuzoi Bushati SPAK-un e si rrjedhim e quajti vegël të Ramës?

* Kriminelët që organizuan vjedhjen e të dhënave të 900 mijë qytetarëve (patronazhistët) nuk u hetuan.
* U mbyll dosja e krimit zgjedhor në Dibër.
* Inceneratorët nuk po hetohen seriozisht.
* Lufta kundër krimit të organizuar nuk është meritë e SPAK, pasi ka ekzistuar më parë.
* SPAK gënjeu për ngjarjen e Elbasanit më 2021, ku u vra Pjerin Xhuvani.

Sipas Bushatit, ndëshkimet ndaj disa eksponentëve të PS janë sakrifica të kontrolluara, ndërsa kupola politike, përfshirë vetë Ramën, mbetet e paprekur. Ai është i bindur se SPAK është vegël që përforcon regjimin, dhe jo drejtësinë.

E dëgjova me kujdes dhe u futa në një proces introspeksioni për të kuptuar a ka të drejtë Bushati, dhe deri ku?a qëndron kjo analizë në tërësi të saj apo është pjesërisht e saktë? Ndaj le ti marrim me rradh ne rend logjik argumentat e tij:

Së pari, a kemi të bëjmë me një strukturë që ka çeduar në vullnetin për të kryer misionin e saj publik dhe që dirigjohet si mashë e Edi Ramës... apo është nje skenar shumë më kompleks?

Për t’iu afruar sa më shumë të vërtetës, përgjigjja nuk duhet kërkuar vetëm në perspektivën kritike të opozitës ndaj SPAK, por duhet parë panorama e plotë , edhe nga këndvështrimi i socialistëve dhe kritikat e tyre potenciale ndaj SPAK-ut, apo edhe më gjerë : nga pikëpamja e sistemit vetë.

Një pyetje e drejtë e një socialisti, apo dikujt neutral apartiak, do ishte:

Pse SPAK nuk e heton Sali Berishën për çështje që shkojnë përtej korrupsionit te Klubit Partizani, një çështje banale?!
Pse nuk ka hetim penal për ngjarje madhore si 21 Janari, Gërdeci, kontratat me Taci Oil, ARMO dhe Bankers Petroleum, marrëdhëniet me Fazlliçin dhe aferat e Porto Romanos? Çështje që kanë deformuar në bërthamë demokracinë shqiptare në qeverisjen 2005–2013, dhe më pas kanë vazhduar me pasojat e tyre në kapjen e PD dhe opozitës nga 2013 deri më sot?

Madje, vetë Andi Bushati, që sot e quan SPAK-un vegël të Ramës, ka qenë dikur ndër kritikët më të fortë të Berishës, posaçërisht për këto tema, duke i trajtuar këto skandale në emisionet e tij dhe duke kërkuar hetim penal për këto akuza ndaj Berishës si zë publik asajkohe.

A mund të themi me pozita racionaliteti, e jo me tonalitet deklamtiv që kërkon të ndërtoj tension emocional te qytetari, ama jo të nxisë reflektim ojektiv, se:

“Nuk i hap SPAK këto çështje dhe nuk ngre akuza të qënësishme për Doktorin, sepse Altin Dumanit i mungon vullneti për ta vendosur përpara drejtësisë figurën politike të Berishës, njësoj siç bën me Ramën dhe PS-në?!”

Kjo duket e pamundur në analizë të ftohtë, përtej interpretimeve subjektive.

Pra, a i përgjigjemi dot një socialisti apo dikujt me mendim kritik apartiak se edhe në rastin e Berishës dhe Metës, SPAK është duke u marrë me çështje periferike sepse i mungon vullneti, dhe bën goditje shpërthimi mediatik të telekomanduara për të bërë zhurmë ndaj tyre sa për show … por kurrsesi dëm real ndaj tyre?

Se fundja, çfarë dëmi i ka bërë në finale drejtësia Berishës, përveçse i ka dhënë vulën e PD (në peshoren e drejtësisë juridike, jo në peshoren e shumicës së militantëve) dhe e ka nxjerrë si një “viktimë e regjimit si lider opozite”, por pa e dënuar, pa e dëmtuar penalisht që më pas kjo të përkthehej edhe politikisht? Më shumë i ka dhënë karburant politik për te mobilizuar opozitarët drejt një qëndrimi empatik në përkrahje të “viktimës se regjimit të Ramës”, se sa e ka afektuar në formë dentrimentale.

Nëse pranojmë këtë arsyetim, a ka bazë logjike kjo premisë?

Dmth SPAK nuk godet Ramën sepse është vegël e tij, por njëkohësisht nuk godet Berishën e Metën sepse është vegël e tyre? Apo e Ramës? Apo e të dyve?

Kjo duket një premisë e brishtë dhe kontradiktore. Sepse nëse SPAK do të ishte vegël e Ramës, atëherë logjikisht do të duhej të shkatërronte totalisht Berishën dhe Metën – jo t’i kursente.
Pra në logjikën e Bushatit jemi para një Paradoksi logjik:
Si mund të jetë vegël e Ramës dhe të “përkëdhel” armikun e tij politik, Berishën?!

Së dyti, që gjykoj ss është esenca: Çfarë kanë të përbashkëta të gjitha ato mosveprime të SPAK-ut që Z. Bushati ka listuar?

Në rast hetimi shterues, do preket direkt Edi Rama, nominalisht dhe personalisht!

Prekja e Ramës nuk do të ishte thjesht një akt ligjor, por një përplasje mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv – një formë “lufte institucionale” që Shqipëria nuk e ka përjetuar realisht më parë. Rrezik real për destabilizim politik, në nje vend me demokraci hibride si e jona.
Marrja si i pandehur e një kryeministri kaq të fuqishëm dhe gjithë pushtetshëm, mund të sjellë destabilizim edhe pasoja të mëdha për demokracinë fasadë e hibride që ne kemi:

* Reaksion nga strukturat e pushtetit, (ministri, polici, banda kriminale, media të lidhura me qeverinë), do hidheshin në sulm ndaj SPAK, se e kryen një test të vogël në rastin e Veliajt.

* Sulme nga PS, pasi një pjesë e saj mund të shoh te Rama garantin e sistemit dhe deputetët e saj do ktheheshin në kamikazë kundrejt SPAK.

* Tentativa për ta delegjitimuar drejtësinë, duke e akuzuar për “grusht shteti”, “lojë të opozitës” etj.

E në fund Presioni mbi SPAK-un nga të gjitha anët: pushteti i sapo rizgjedhur me votë, opozita, media dhe ndoshta edhe disa faktorë ndërkombëtarë do e mposhtnin definitivisht SPAK-un dhe "Komisioni Xhafa" do e shkrinte atë krijesë instuticionale.

Pra aksioni i SPAK nuk është thjesht një çështje vullneti, por fuqie përballjeje me pushtetin e vërtetë!
Të godasësh një lider politik me rrënjë të thella në shtet, ekonomi, polici, drejtësi e mbështetje popullore, është një sfidë që shkon përtej dëshirës së mirë të disa prokurorëve.
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, përfshirë edhe SPAK-un, nuk është i pajisur me fuqinë e nevojshme për të përballuar liderë që kanë ngritur rrjete të ndërlikuara influence për dekada me radhë.

Nuk është vetëm çështje vullneti: është çështje strukturash që nuk janë të afta të godasin qendrat reale të pushtetit politik dhe ekonomik në mënyrë të pavarur.
Ndoshta kjo është arsyeja se pse SPAK është i pafuqishëm plotësisht për të përballuar një figurë me ndikim të madh si Berisha, e lëre më me dikë si Edi Rama.

Teza e dyte e Andi Bushatit është përgjigje e pyetjes se, “pse Rama sakrifikon njerëzit e tij të afërt?”
Andi Bushati ka një tezë interesante: Ramën nuk e rrezikojnë aspak në pushtetin e tij as Veliaj, Balluku apo të tjerë ministra. Por kur është e nevojshme, ai i “sakrifikon” politikisht, duke i përdorur si mish për turmën e urritur.
Pse?
Sepse, sipas Bushatit, makineria e Ramës kërkon gjak të ri për të vazhduar të duket funksionale, për të justifikuar se “reforma po ecën” dhe për të ruajtur mitin e një lideri të pastër që “nuk fal”.

Por a funksionon vërtet kjo taktikë?
A besojnë shqiptarët se Rama nuk kishte dijeni për inceneratorët? Se Ahmetaj, Veliaj dhe Koka punuan “pas shpinës” së tij?

Kaq infantilë dhe marrëzisht naivë i quajmë shqiptarët?
Që, nëse Veliaj arrestohet, mendojnë se Rama u pastrua nga korrupsioni i tij dhe, si rrjedhojë, Edi është më i pastër dhe më i fortë në opinionin publik?
Vërtet e pranon dikush këtë logjikë?!

Mendoj se absolutisht jo.
Përkundrazi — çdo arrestim i një zyrtari të lartë të mazhorancës e dëmton Ramën në publik, sepse rrëzon narrativën e moralit të tij politik, të qeverisjes së pastër.

Në sytë e qytetarëve, arrestimet janë shpërthime të skandaleve që përmbytin gjithë sistemin, jo sinjale katarsisi. Njerëzit nuk thonë: “Rama është i drejtë sepse i burgosi”, por: “Rama është i përfshirë dhe po shpëton veten”.

Shembuj si Dosja “5D” dhe hetimi i tenderave në Tiranë:, Rasti i Arben Ahmetajt: Dënimet e kryebashkiakëve të PS-së:
Durrës, Lushnjë, Bulqizë, Kukës, Mallakastër etj., janë dënuar për korrupsion e shpërdorim detyre. Është e vërtetë që nuk janë figura qendrore, por nuk janë as “peshq të vegjël” dhe goditja e tyre ka dëmtuar imazhin e Edi Ramës në formë direkte, ndaj në këto zgjedhje edhe pse bëri qindra mekanzima ekstra ligjor përësri mori 60 mijë vota më pak se në 2021 (edhe me votën e diasporës përfshirë).

Pra SPAK nuk është as vegël, as shpëtimtar “deux ex machina”, por është një institucion i brishtë në një sistem të kalbur i cili po bën një pastrim që kurrë më parë nuk është bërë.

Është një strukturë e re që përpiqet të mbijetojë në një terren ku oligarkia politike dhe ekonomike i ka zënë frymën drejtësisë për 30 vjet

Ndaj kritika si ajo e Bushatit është tepër e vlefshme, por deri në trajtën e kritikës, por kur përdoret për ta eleminuar SPAK-un… është thjeshtë një shërbim i pandershëm që Bushati mençurisht po i kryen klasës së vjetër politike, sepse fokusohet te motivet e SPAK-ut dhe jo te kufijtë realë të mundësisë për të vepruar kundër kastës politike që ka kapur shtetin prej dekadash.

Ndaj përtej problematikave të SPAK, dhe kritikës që i duhet bërë, më mirë “një idiot i dobishëm” i SPAK ama jo i Ramës, sesa një i mençur i pavlerë për opozitën… se për Ramën, ka tepër valencë.

 

Po ndodh...