Google i publikoi foton nudo teksa qëndronte në oborrin e shtëpisë, argjentinasi fiton gjyqin ndaj gjigantit të teknologjisë

1 Gusht 2025, 17:28 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS
Google i publikoi foton nudo teksa qëndronte në oborrin e

Një shtetas argjentinas fitoi një betejë ligjore kundër gjigantit të teknologjisë Google, pasi u fotografua nudo në oborrin e tij dhe më pas u postua në Google Street View.

Edhe pse padia e ngritur nga burri i paidentifikuar përfundoi vetëm së fundmi, incidenti daton që nga viti 2017, kur një makinë e Google Street View kaloi nëpër Bragado, një qytet i vogël argjentinas rreth 200 kilometra larg Buenos Aires, pikërisht kur një burrë vendas ishte krejtësisht nudo në pronën e tij.

Fotot e bëra nga sistemi i avancuar i kamerave të makinës e kapën atë nga pas, duke treguar të pasmet e tij dhe edhe pse fytyra e burrit nuk ishte e dukshme, adresa shumë e qartë e rrugës në fotografi e bëri atë objekt talljeje të qytetit. I lodhur duke duruar talljet, burri e çoi Google në gjykatë për shkelje të privatësisë së tij. Një gjykatë e shkallës së parë e rrëzoi padinë vitin e kaluar, duke vendosur se burri argjentinas ishte përgjegjës për situatën sepse ai po “ecte në kushte të papërshtatshme në oborrin e tij”, por në apel, gjykata vendosi në favor të paditësit, duke argumentuar se Google kishte “ndërhyrë” në sferën private të paditësit, “duke minuar dinjitetin e tij”.

Kompania e teknologjisë pretendoi se gardhi i burrit ishte shumë i ulët për të mbrojtur lakuriqësinë e tij, por një hetim zbuloi se muri ishte mjaftueshëm i lartë, kështu që ky argument u hodh poshtë. “Askush nuk dëshiron t’i duket botës ashtu siç e krijoi Zoti”-thuhej në vendim, duke shtuar se Google ishte plotësisht e vetëdijshme për detyrimin e saj për të mbrojtur privatësinë e njerëzve, siç dëshmohet nga politika e turbullimit të fytyrave dhe targave në Google Street View.

Megjithatë, në këtë rast, numri i qartë i rrugës i dukshëm në platformë e bëri shumë të lehtë identifikimin e burrit të zhveshur. Dhoma Kombëtare e Apelit Civil të Buenos Airesit ka urdhëruar Google t’i paguajë paditësit 16 milionë peso, ose mbi 12,000 euro, në kompensim për dëmet në dinjitetin e tij.

Po ndodh...