Jo vetëm në qeveri, ndryshime në administratë, pakësohen institucionet e varësisë

19 Gusht 2025, 21:45 / POLITIKË ALFA PRESS
Jo vetëm në qeveri, ndryshime në administratë,

Nga ministritë e drejtoritë te agjencitë apo entet, bashkë me institucionet e pavarura kushtetuese.. qeveria propozon ndryshime në organizimin e institucioneve të administratës publike.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-korrupsionin ka hedhur në konsultim publik projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.” Nga tre aktualisht, pritet të ketë vetëm 2 kategori të institucioneve jo-ministrore.  

“Projektligji propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave jo-ministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë  ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatore, siç kërkohet nga legjislacioni evropian për secilin nga rregullatorët.”

Një tjetër risi e projektligjit lidhet me sistemin e llogaridhënies dhe raportimin e performancës. 

“Me miratimin e vendimit për sistemin e mbikëqyrjes/llogaridhënies dhe për zbatimin e tij, çdo institucion do të krijojë sistemin e brendshëm të llogaridhënies dhe do të hartojë Planin  dhe Raportin Vjetor të Performancës. Çdo ministri do të caktojë për çdo institucion/agjenci njësinë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe çdo vit do të angazhohet për miratimin e Planit Vjetor, mbikëqyrjes dhe dialogut të përhershëm institucional dhe vlerësimin e performancës së institucionit, duke konkluduar çdo vit me deklaratën e performancës të institucionit.”

Në relacionin e nismës ligjore ka parashikime edhe mbi numrin e punonjësve që do duhen minimalisht për ngritjen e një strukture në administratën publike.

“Projektligji propozon vendosjen e një pragu minimal të punonjësve që justifikojnë krijimin e një institucioni varësie dhe njohjen e një lloji të ri drejtorie me status të posaçëm brenda aparatit të ministrisë, pa personalitet juridik por me autonomi të rritur në bazë të delegimit të ministrit.”

Qeveria vlerëson se ndryshimet do të sjellin eficiencë dhe transparencë më të madhe. Pjesa më e madhe e këtyre propozimeve janë edhe si nevojë për tu përafruar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. 

Po ndodh...