“Rama fitoi me gogolin Berisha”/ Qori: Kemi marrë rezultat dinjitoz, por meritonim më shumë!

16 Maj 2025, 08:09 / POLITIKË ALFA PRESS

“Rama fitoi me gogolin Berisha”/ Qori: Kemi marrë rezultat

Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për rezultatin e zgjedhjeve.

Qori tha se Lëvizja Bashkë ka marrë minimumin e pritshmërive që kishte, pra një mandat, por edhe kjo në vetëvete është një arritje, për shkak të klimës së pabarabartë ku ka garuar, duke qenë ekstremisht e goditur, pa resurse ekonomike dhe pa hapësirë në media.

Qori komentoi edhe rezultatin e thellë që arriti PS, duke shpjeguar disa nga faktorët që sollën këtë rezulat.

Kam patur shumë ftesa televizive, zgjedhjet mbaruan dhe nuk ka më rrezik. Nuk ka ngelur TV që më ka marrë, për një qëndrim, por u thoja do të mbarojë procesi, do të jem një qëndrim dhe pastaj do të dalim në media. Tani për tani, mendimi im nuk do të ketë të njëjtin efekt si përpara zgjedhjeve.

Ky rezultat më ka habitur, nuk e kam pritur, që PS të merrte kaq shumë deputetë. E di që në vendin tonë ka marrë ferra uratën, korrupsion, blerje votash, ç’të duash, por kam besuar që zullumi nuk mund të arrijë deri në atë pikë sa një parti në pushtet pas 12 vitesh, ku çdo vit është më i keq, të thellojë rezultatin.

Për Lëvizjen Bashkë është rezultati minimal që ne prisnim. Kemi arritur të nxjerrim një deputet. Donim më shumë, meritonim më shumë, por në kushtet e një gare të pabarabartë me të gjithë, jo vetëm me PS dhe PD. Nuk financohemi nga oligarkët, nuk marrim para nga shteti, mediat na bojtkojnë, por ky rezultat është shenjë e rëndësishme se mund të bëhet politikë krejt ndryshe. Arrin që 24 mijë votues, është një rezultat dinjitoz.

Përse kemi një thellim të numrit të deputetëve për PS dhe Edi Ramën? Mendoj se kjo është parti që ka të gjithë pushtetet, në një vend ku ndarja e pushteteve është në rastin më të mirë tejet i brishtë, ose nuk ekziston fare. Të kesh pushtetin ekzekutiv, legjislativ, kombëtar, lokal, të siguron një avantazh më të madh se disavantazhi që prodhon pakënaqësia. Është parti që ka mbështetjen e oligarkisë, por ka ditur të luajë nga pikëpamja stategjike. Rama ka rikrijuar gogolin, “bufin” e Sali Berishës. Është hera e parë pas vitit 2013 që Rama ka drejtpërdrejt përballë Sali Berishën. Ia ka dalë për muaj të tërë, që ata qytetarë të pakënaqur ti bindë se ekziston një rrezik imagjinar që Berisha vjen në pushtet dhe ka shtrënguar rradhën.

Partia në pushtet ka një avantazh për listat, hedh në garë të hapur personat më të fortë brenda partisë, jo në kuptimin parimor, por kafshët e votave, maskarenjtë. Pra ka patur komoditetin, t’ju thotë Rakipëve, Qefalive, të gjithëve, këta që të kafshojnë edhe në qafë, ti hidhte të lista e hapur, vëllezër hahuni me njëri tjetrin, sepse duke shqyer njëri tjetrin, gjeneron vota për partinë. Asnjë parti tjetër nuk e ka patur këtë komoditet.

Por, avantazhi më i madh i tij ka qenë se ka krijuar perceptimin në shoqëi. Partitë e reja po ti mbledhësh kanë marrë një rezutlat që nuk kanë ekzistuar më parë, pra 10% e qytetarëve kërkojnë ndryshim. Por në pjesën tjetër është krijuar një ndjenjë e thellë pesimizmit. Të thotë se keni dy altenativa, pavarësisht dashamirësisë, keni dy alternativa, të keqen dhe të keqe, mes këtyre zgjidhni atë që ju duket pak më pak e keqe.

Ne folëm përpara se të hapeshin kutitë, dhe thashë jam optimist, nuk kisha parë kurrë kaq solidaritet në rrugë. Mendimi im ishte që nuk ka sesi të mos kthehet kjo masivisht në vota. Është kthyer pjesërisht por jo masivisht.

Shumë njerëz me dëshirën e mirë, simpatinë, në momentin e fundit kanë thënë jo, se diksuh më ka premtuar se do të më fusë në punë, një legalizim, një falje gjobe, një lloj kalkulimi i ngushtë pa patur në vëmendje panoramën e gjerë. Një pjesë e atyre që kanë votuar PS, kur kanë parë rezultatin kanë thënë kemi gabuar. Sikur të bëhen zgjedhjet sot, Rama nuk del aq sa del. Ata kanë menduar do të marrë 73, aman të mos jetë Berisha.

Por tani ai mund të bëjë çdo gjë, bashkë me tre deputetët e Tom Doshit. Shumë qytetarë tani, besoj i thonë vetes prit se ndoshta kemi gabuar. Kjo është ndoshta ajo dritare e vogël shprese, që ai rezultat nuk është real në kuptimin e besimit”, tha Qori.

 

Po ndodh...