Rama kërkon dorëheqjen e drejtorëve edhe në Durrës, pas ndërhyrjeve në Vlorë e Fier

8 Korrik 2025, 18:58 / POLITIKË ALFA PRESS

Rama kërkon dorëheqjen e drejtorëve edhe në Durrës, pas

Pas Vlorës dhe Fierit, kryeministri Edi Rama ka mbërritur sot në bashkinë e Durrësit, ku ka zhvilluar një tjetër mbledhje me tone të ashpra ndaj drejtuesve vendorë dhe të institucioneve që varen nga kjo bashki.

Sipas Top Channel Rama u ka kërkuar dorëheqjen të gjithë drejtorëve të bashkisë dhe drejtuesve të institucioneve që, sipas tij, nuk kanë përmbushur detyrat dhe nuk kanë reflektuar mbi përgjegjësitë që mbajnë.

Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët e qarkut Durrës, si dhe kryebashkiakja Emiriana Sako. Përpara mbërritjes së kreut të qeverisë, bashkia ndërmori një aksion për lirimin e hapësirave publike, pjesë e fushatës së nisur prej Ramës në të gjithë vendin.

Kryeministri e nisi këtë tur me Bashkinë e Vlorës, ku u larguan 21 drejtues dhe iu dha ultimatum bizneseve për të liruar trotuaret. I njëjti mesazh është përsëritur edhe në Fier dhe Durrës, ku Rama theksoi se “besimi i marrë me votë duhet kthyer në shërbim dhe respekt për qytetarët”.

Ndërhyrjet e Ramës në pushtetin vendor po vijnë në një kohë kur diskutimi për autonominë vendore është rikthyer me forcë, por kryeministri duket i vendosur për të vazhduar me reformimin e administratës lokale në çdo bashki ku, sipas tij, puna nuk ecën siç duhet.